E Diel, 1 Nëntor 2026

Eshtë koha për të nxituar

Mbledhja e parë e qeverisë së re, realisht, shënoi fillimin e numërimit mbrapsht për rezultatet që do të paraqitet në finishin e ardhshëm elektoral. Larg kamerave të luftës politike, administratorët e sotëm të shtetit shqiptar ndodhen përballë dilemës së zgjedhjes së partnerëve të ardhshëm dhe konkurrentëve eminentë tanët.

Jo se këta partnerë nuk janë të përcaktuar, por ndryshimet globale e rajonale sjellin ndryshime të orientimit të vektorëve të prioriteteve tona. Edhe vetë fuqizimi i vendit dhe i ekonomisë sonë dhe statusit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sjellin nevojën e korrigjimit të tyre.

Së pari, është i nevojshëm ripërcaktimi i investitorëve potencialë dhe kapitaleve të huaja, të interesuara për të qenë prezent.

Që nga kohët e formimit të kombeve moderne, pak nga fuqitë e mëdha kanë qenë të interesuara për praninë e tyre në rajonin e Ballkanit. Qoftë për shkak të terrenit të vështirë, qoftë për shkak të shumë etnive të shkartisura e pleksura keqas me njëra-tjetrën, që s‘linin rast pa u kacafytur me njëra-tjetrën, qoftë për shkak të prapambetjes kulturore të imponuar nga otomanët; këto treva kanë qenë më pak oreksndjellëse e joproduktive, sesa shkretëtirat e Afrikës së Veriut, ose xhunglat e Lindjes së Largët.

Edhe sot, është pak a shumë e njëjta situatë, ku pas përvojës së luftërave ballkanike, shumë pak kanë dëshirë të merren me Ballkanin: Anglia, Franca dhe Spanja mjaftohen me ish-kolonitë e tyre, nëse kanë dëshirë për ekspansion ekonomik. Atje janë të mirëpritur dhe kanë kultura të ngjashme; Gjermania mjaftohet me sferën e ndikimit në Europën Qendrore dhe me gjysmë zemre e shtrin sferën e saj deri në Kroaci; Rusia është larg dhe ka problemet e veta të teknologjisë së prapambetur; ndërsa Shtetet e Bashkuara janë shumë të mëdha për t‘u marrë edhe nga ana ekonomike me këtë copë toke që përfaqëson Ballkani, në fytyrën e globit.

Të vetmit që janë ende në fushën e lojës dhe pretendojnë për të pasur rolin e violinës së parë ekonomike në rajon, janë Italia dhe Greqia. E para, me gjysmë zemre, pasi nuk ka dëshirë të përzihet në ngatërresat ballkanike që, për hiçmosgjë kthehen në beteja të gjata jorentabël; Greqia thjesht ka dëshirën e madhe të jetë udhëheqësi politik dhe ekonomik i rajonit.

Por, midis tyre, ka diferenca në kapacitete ekonomike dhe mentalitete politike.

Greqia ka pasur rol primar politikisht në rajon, pasi për një kohë të gjatë ishte i vetmi vend i kampit perëndimor, por me pranimin e Rumanisë e Bullgarisë, ky rol është zbehur dhe do të zbehet akoma më shumë. Ndërsa ekonomikisht, pavarësisht dëshirës së madhe që ka për të qenë zotëruese e sektorëve kyç të vendeve ballkanike, mund të thuhet se mundësitë e saj financiare janë ezauruar. Ka marrë pjesë në privatizimin e sektorëve të telekomunikacionit në këto vende, industrive të çimentos e disa industrive të tjera. Por jorgani i saj, kaq mund të mbulonte.

Që të mundet të realizojë ekspansionin e saj duhet të ketë popullsi të krahasueshme me gjithë vendet ballkanike të marra së bashku, por ja që nuk e ka. Duhet të ketë strukturë ekonomike të orientuar drejt industrisë së rëndë dhe teknologjisë së lartë, që këto vende pritëse kanë nevojë, por që edhe vetë Greqia nuk i disponon. Duhet të ketë një të shkuar bashkëjetese miqësore me vendet kufitare dhe kulturë bashkëkohore të shquar, por që është e pamundur, qoftë për shkak të problemeve në të shkuarën me fqinjët, qoftë për shkak të nivelit të kulturës aktuale masive greke.

Edhe sikur fqinjët e Greqisë të kenë gjithë mirëkuptimin për të hapur dyert, sot në Ballkan dëshirojnë më shumë të veshin rroba italiane, të shijojnë kuzhinën italiane e të imitojnë televizionet dhe artin e saj.

Ndërsa Italia, konkurrenti i tyre në këtë trevë, ka prodhim bruto kombëtar (GDP) 5 herë më të lartë se ai grek. Por krahasimi bëhet edhe më dërrmues në disfavor të grekëve, nëse shohim se eksportet italiane janë mbi 20 herë më të larta se ato greke, çka tregon se ekonomia italiane është thekshëm e prirë drejt eksporteve, ndërsa ajo greke është thellësisht autarkike.

Pavarësisht dobësisë së momentit që kanë industritë italiane për të qenë kompetitive me konkurrentët e tyre në G8, padyshim nuk kanë të krahasuar me Greqinë, e cila është vend me industri kryesisht ushqimore, ose të sektorëve që kanë lidhje me të. E po ashtu, edhe sistemi universitar nuk ka të krahasuar, pasi në rastin e Italisë bëhet fjalë për një sistem të rangut të parë, ndërsa studentët grekë, shpesh preferojnë shkollat e vendeve të tjera, përfshirë edhe ato italiane.

Pas kalimit të 10-vjeçarit të fundit të shekullit të kaluar, kohë kur filloi të shuhej edhe ndrojtja italiane për të vënë këmbët në gadishull, kapitalet italiane vërshuan drejt Bullgarisë, e më shumë drejt Rumanisë.

Infrastruktura relativisht e mirë, legjislacioni i favorshëm, punëtorë të kualifikuar dhe industri relativisht të mirëmbajtura, i bënë këto vende tërheqëse për kapitalet italiane. Por hyrja e tyre në Bashkimin Europian dhe hapja e tregjeve i ka rritur ndjeshëm kostot e punës, fakt ky që po i bën sipërmarrësit italianë të kërkojnë vende të tjera.

Aktualisht, kufiri i ri që po përpiqen të hulumtojnë, janë Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Serbia. Dhe në këtë kontekst na takon neve të bëjmë një analizë të dytë për të parë se cili nga këto vende është më tërheqës. Por ndoshta për të qenë më realist, duke parë se Bosnja është një shtet rakitik dhe ende e për shumë kohë me histori ngjethëse e aspak ndjellëse, duhen krahasuar Serbia me Shqipëri-Kosovën (entitet që duhet të funksionojë me çdo kusht e çmim, si një i vetëm, së paku ekonomikisht, përndryshe jemi të humbur).

Politikisht, në orientimin e këtyre investitorëve drejt tregjeve të reja, një rol të madh luan politika e jashtme italiane, e cila në periudhat kur Berluskoni është në fuqi, e vë shumë theksin mbi orientimin ekonomik të diplomacisë. Në këtë aspekt dhe për arsye thjesht praktike, në këtë politikë ekziston një linjë filoserbe, e cila nuk ka pse përkthehet antishqiptare.

Shtetit italian i intereson Serbia, për faktin se ka infrastrukturë të zhvilluar, traditë industriale dhe klasë të mesme e inteligjencë të niveleve europiane; niveli i rrugëve, telekomunikacionit, arsimimi i popullsisë në nivel teknik dhe kualiteti i universiteteve, janë të standardeve të larta, krahasuar edhe me vende të Europës Qendrore e Perëndimore; politikisht, deri vonë, por edhe aktualisht, për shkak të minoriteteve me shumë ndikim në rajon.

Po të krahasojmë zë për zë, kualitetin e indekseve tona dhe ato serbe, me dhimbje do shohim se jemi në disavantazh, pasi rrugët tona janë ende në ndërtim e sipër; telekomunikacioni ende drejt shtrirjes: arsimimi profesional drejt ringritjes pas një periudhe 20-vjeçare mosekzistence dhe sistemi universitar ende i paqartë për rrugën që do të marrë.

Por pika jonë e avantazhit, që nuk do vazhdojë edhe shumë kohë, janë emigracioni i lartë dhe të ardhurat që ai sjell; popullsia e re dhe mbi të gjitha portë në Ballkan, me popullsi homogjene që shtrihet deri në zemër të tij dhe prek të gjitha vendet e gadishullit. Kjo do të thotë, krah pune me bollëk dhe ende të lirë për standardet europiane, e lehtësi gjeografike për ekspansion ekonomik.

Ndërsa politikisht, në garën për t‘u bërë pjesë e Europës, ngjajmë me dy vrapues topallë, pasi njërit i është nënshkruar MSA-ja, por ka regjim vizash, ndërsa tjetrit do t‘i hiqet regjimi i vizave, por nuk i nënshkruhet MSA-ja, për shkak të kundërshtimit belg dhe holandez.

Duke parë këtë kontekst, nevojitet ndërmarrja e reformave esenciale, jo vetëm sepse këto janë kushtet për të qenë vend anëtar i BE-së, por mbi të gjitha se në këta pak vjet, do vendoset se kush do jetë vendi nga ku do ndalojnë fillimisht kapitalet dhe mallrat perëndimore, për t‘u nisur pastaj në thellësi të Ballkanit.

Nevojitet qasje me standardet europiane në arsimin e lartë dhe nxitje e arsimit profesional; kërkohet zhvillim i infrastrukturës rrugore, nga portet shqiptare, në drejtim të kufijve të Kosovës, Maqedonisë, Greqisë dhe duke ringjallur edhe njëherë Korridorin e Tetë, qoftë kjo edhe me çmimin e borxheve.

Modernizimi dhe përqasja e Ballkanit me vendet e zhvilluara të Europës është një ndër ndryshimet e fundit të mëdha që po ndërmerr kontinenti, e pas kësaj do të mbizotërojë një periudhë mjaft e gjatë stabiliteti dhe statuskuoje. Duhen bërë përpjekje mbinjerëzore, që mos të mbetemi në vendin e fundit dhe të zgjojmë interesin në përshtatshmërinë e vendit tonë për kapitalet e huaja. Në të kundërt, mund të pranohemi në Europë për arsye gjeopolitike, por do jemi vendi që do prodhojmë mbajtës valixhesh për dyert e hoteleve të Europës; trafikantë e njerëz të shkallës së fundit të klasifikimit të shoqërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›