Fundjava, edhe më shumë gjoba për shoferët e pabindur
Edhe gjatë fundjavës kanë vazhduar masat e ashpra të policisë rrugore për të gjithë kundërvajtësit. Duke vendosur rreth 2 mijë gjoba administrative dhe duke bllokuar disa leje për drejtim automjeti, ajo është ndihmuar edhe nga patrulla e përgjithshme. Policia e Tiranës, në punën e saj për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore do të ushtrojë kontrolle të shumta. Të gjitha këto kontrolle po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara dhe parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia gjatë të shtunës dhe të dielës në Qarkun e Tiranës, janë konstatuar dhe vendosur disa masa administrative, të cilat në total arrijnë rreth 2 mijë të tilla dhe me vlerë të lartë në lekë. Përveç këtyre masave administrative të ndërmarra nga forcat policore, gjithashtu bëhet e ditur se janë pezulluar edhe 8 leje drejtimi automjetesh. Gjithashtu, Policia e Tiranës e ka parë si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik, duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.