E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërporosia nga Gjermania, në pyetje biznesmeni fierak

Biznesmeni fierak, i dyshuar për trafik droge, i cili po hetohet në gjendje të lirë, pritet të merret në pyetje këto ditë pas një letërporosie të ardhur nga Gjermania për një hetim të ndërmarrë nga policia e këtij vendi. Sipas të dhënave nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Zaim Tafa, pronar i një restoranti të madh në Fier, duhej të pyetej që në seancën gjyqësore të radhës, por atë ditë nuk mori pjesë. Pak kohë më parë, një letërporosi ka ardhur nga Gjermania për të marrë në pyetje tre gjermanët e arrestuar në Shqipëri bashkë me dy biznesmenët shqiptarë, të cilët u akuzuan për trafikun e 40 kg heroinë. Marrja në pyetje e Tafës ka të bëjë me një hetim të policisë gjermane për një çështje droge në këtë shtet. Pak ditë më parë, Gjykata për Krimet e Rënda ekzekutoi letërporosinë e ardhur nga Gjykata e Ulnit në Gjermani, në lidhje me pesë të arrestuarit e operacionit "Kështjella", tre prej të cilëve shtetas gjermanë. Togat e zeza të Krimeve të Rënda lejuan ekzekutimin e letërporosisë së dërguar nga autoritetet e drejtësisë gjermane, për çështjen në ngarkim të personave të akuzuar për përfshirje në trafikimin e 40 kilogramëve lëndë narkotike e llojit heroinë. Përderisa procedimi penal për këtë çështje ka nisur nga organi i hetimit në shtetin gjerman, Gjykatës për Krimet e Rënda i ishte dërguar një letërporosi me objekt "marrjen e akteve të procedimit penal dhe pyetjen e të bashkëpandehurve". Në seancë nuk ishte i pranishëm i pandehuri, Zaim Tafa, i cili hetohet në gjendje të lirë, ndërsa ishin të pandehurit e tjerë të arrestuar, Albert Pëllumbaj, Daniel Englert, si edhe Franc e Regina Kiascek. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak se deklarimet e dhëna nga të pandehurit ishin për llogari të hetimeve paraprake. Burime brenda seancës bënë të ditur se i pandehuri Albert Pëllumbaj nuk pranoi të fliste pa praninë e avokatit të tij, i cili mungonte, ndërsa tre shtetasit gjermanë u janë përgjigjur me radhë 18 pyetjeve të letërporosisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›