Në kuadër të takimeve të punës me titullarët e dikastereve, lidhur me realizimin e matricave që kanë të bëjnë me objektivat dhe prioritetet e Qeverisë për periudhën Janar-Mars 2004, Krye
Në kuadër të takimeve të punës me titullarët e dikastereve, lidhur me realizimin e matricave që kanë të bëjnë me objektivat dhe prioritetet e Qeverisë për periudhën Janar-Mars 2004, Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me ministrin e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Bashkim Fino dhe përfaqësues të tjerë të ministrisë, takim gjatë të cilit u analizua puna e këtij dikasteri për këtë tremujor.
Ministri Fino vuri në dukje se në fushën e planifikimit të territorit janë miratuar nga parlamenti dy ligje të rëndësishme, ai "Për hipotekimin e karabinave" dhe Ligji "Për legalizimin e shtesave në ndërtime". Po në këtë kuadër, është ngritur grupi i punës i cili po punon për hartimin e projektligjit të urbanistikës.
Lidhur me rikonceptimin e Policisë së Ndërtimit në perspektivën e shndërrimit të saj në Inspektoriat Shtetëror të Ndërtimit, ka përfunduar drafti i projektligjit dhe aktualisht po mblidhen mendimet nga institucionet e ndryshme që lidhen me këtë polici. Sipas Ministrit Fino, detyrat kryesore të Policisë së Ndërtimit në këtë frymë të re do të jenë: kontrolli dhe zbatimi i ligjshmërisë në fushën e ndërtimit; kontrolli i licensave, lejeve të ndërtimit, dokumentacionit; kontrolli i ligjshmërisë në dhënien e lejeve të ndërtimit nga organet vendore; kontrolli i rregullave teknike; kontrolli i cilësisë së ndërtimeve dhe materialeve; kontrolli i prishjeve të ndërtimeve pa leje nga vetë Njësitë Vendore.
Parashikohet që ky inspektoriat të ketë edhe një sektor operativ ndërhyrjeje për raste emergjencash, për zona me rëndësi për interesat e shtetit, për prishje të ndërtimeve pa leje në rastet kur vetë Njësitë Vendore kërkojnë ndihmë dhe mbështetje. Po ashtu, kontrolli i territorit brenda vijave të verdha të Bashkive, gradualisht do të kalojë në kompetencë të njësive vendore ndërkohë që Inspektoriati i Ndërtimit të ruajë vetëm rol kontrollues.
Përsa i përket masave të mara për përgatitjen e sezonit turistik, Ministri Fino vuri në dukje se tashmë ka mbaruar proçesi i tenderimit për pastrimin e plazheve duke i ardhur në ndihmë pushtetit vendor me mjete dhe infrastrukturë në funksion dhe të sensibilizimit të tyre për të vepruar dhe krijuar kushte turistëve në zonat e tyre vendore. Po ashtu, është në përfundim prodhimi i materialeve promocionale ndërkohë që po përgatitet hapja e pavionit dhe vizita e Ministrit në Kosovë, për të bërë hapjen e sezonit turistik.
Ministri Fino është shprehur se është përgatitur edhe projektligji "Për krijimin e Entit të Turizmit", i cili është dërguar për mendim në Ministritë e linjës dhe së shpejti do të kalojë në Këshillin e Ministrave për miratim.
Lidhur me kryerjen e studimit të Bregdetit të Jugut, është miratuar në KRRTRSH detyra e projektimit për këtë studim, ndërkohë që janë planifikuar 35 milionë lekë fonde nga Ministria për kryerjen e studimit. Njëkohësisht, është ngritur grupi i punës që po përgatit konkursin dhe njëkohësisht është shpallur konkursi. Po ashtu, u diskutua edhe për mbledhjen e ardhshme të që do të zhvillohet ditën e shtunë.
Në fushën e infrastrukturës ujore, reforma në administrimin e Ndërmarrjeve të Ujësjellës Kanalizimive është shoqëruar gjatë këtij tremujori me daljen e 2 vendimeve të Këshillit të Ministrave që ndihmojnë procesin e transferimit të tyre në varësi të njësive vendore, ndërsa u theksua fakti se po inensifikohen përpjekjet për të thithur investime nga donatorë të huaj në këtë fushë.
Përsa i përket sektorit të strehimit, gjatë kësaj kohe është punuar në drejtim të hartimit të projektligjit "Për nxitjen e Programeve të përmirësimit dhe mirëmbajtjes së banesave dhe mjediseve në bashkëpronësi". Po ashtu, u tha në takim janë programuar ndërhyrje të tjera të cilat do të ndikonin drejtpërdrejtë në këtë fenomen të ndjeshëm publik.
Kryeministri Nano, gjatë këtij takimi, duke vlerësuar punën e bërë ka theksuar nevojën e fokusimit në objektiva prioritare më të ndjeshme për popullsinë, si dhe në menaxhimin e burimeve njerëzore në këtë drejtim. Zoti Nano u shpreh gjthashtu se hapat ligjorë të ndërmarë apo realizuar nga kjo ministri tashmë duhet të përshpejtohen në implementimin e tyre ku Kryeministri u ndal veçanërisht në ligjin "Për legalizimin e shtesave në ndërtime", apo në fushën e infrastrukturës rrugore në zonat turistike, të cilat do të jepnin një efekt të konsiderueshëm në të ardhurat dhe në nxitjen e inisiativave për të investuar apo shtuar lëvizjet.