E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshte zhvilluar sot një takim midis Ministrit të Shtetit për Koordinim pranë Kryeministrit Z.Marko Bello dhe Drejtorit të Përgjithshëm të KESH, Z.Andis Harasani me një përfaqësi të lëvizj

Eshte zhvilluar sot një takim midis Ministrit të Shtetit për Koordinim pranë Kryeministrit Z.Marko Bello dhe Drejtorit të Përgjithshëm të KESH, Z.Andis Harasani me një përfaqësi të lëvizjes qytetare Mjaft. Ky takim vijon pas atij të disa javëve më parë që Kryeministri Fatos Nano zhvilloi me përfaqësues të shoqërise civile.

Takimi u fokusua ne trajtimin e çështjeve që lidhen me sensibilitete të ndryshme të shoqërisë për të cilat Qeveria Shqiptare ashtu dhe faktorët e organizatave të shoqërisë civile kanë shprehur interes për një rritje progresive të cilësisë së jetesës si dhe për zbatimin e politikave sa më sociale nga ana e qeverisë gjatë rrugës së vështirë të reformave që po kryen me synim zhvillimin dhe integrimin e vendit.

Në fillim të takimit, Ministri i Shtetit për Koordinimin, Marko Bello, u shpreh se Qeveria Shqiptare e konsideron shoqërinë civile dhe lëvizje të tilla shumë të rëndësishme, oponencë për qeverinë dhe jo kundërshtarë. Ministri Bello u shpreh se edhe qëllimi i këtyre lëvizjeve, i qeverisë dhe i të gjithë faktorëve progresivë në vend, është që Shqipëria të kapërcejë periudhën e tranzicionit dhe të rriten standartet e jetesës.

"Ky takim është një hap për të diskutimin e reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në fushën e telekomunikacioneve dhe energjitikës, të cilat kanë patur një kosto reale, e cila është ndjerë në xhepat e qytetarëve. Të tilla reforma ne i konsiderojmë të domosdoshme, sepse ato reflektojnë ambicien tonë për t'u integruar në BE. Shqetësimet e qytetarëve për koston e këtyre reformave janë reflektuar edhe nëpërmjet protestave qytetare, manifestimeve të civilizuara, paqësore", u shpreh Z.Bello.

Më tej, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Mjaft, Erion Veliaj, vlerësoi mundësitë e krijuara për zhvillimin e diskutimeve lidhur me problemet qytetare të ngritura nga kjo lëvizje edhe nepermjet protestave sensibilizuese qytetare.

"Vlerësojmë hapjen e dyerve për këtë dialog, të cilin e konsiderojmë të rëndësishëm. Besojmë që do të vazhdohet me disa ndryshime reale që do të ndikojnë në uljen e varfërisë ose ndryshe në faturën që secili nga qytetarët paguan në fund të muajit", u shpreh Z.Veliaj.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Mjaft kanë paraqitur në këtë takim disa kërkesa konkrete, me efekt social në fushën e energjitikës dhe telekomit.

Çështja e parë e paraqitur në takim ishte ngritja nivelit të energjisë me çmim të reduktuar nga 220 në 300 KË. Pas diskutimeve të zhvilluara dhe argumentave të sjellë nga Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Z.Harasani, u ra dakort që të negociohet për rritjen e këtij niveli në një masë të përshtatshme që mbron interesat e të gjitha palëve.

Çështja e dytë e diskutuar lidhej me publikimin e bilanceve dhe pasqyrave financiare të KESH, si dhe analiza e kostos për shërbimet që kjo koorporatë ofron. Drejtori i Përgjithshem i KESH-it ka vënë menjëherë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar duke dëshmuar gatishmërinë e institucionit që drejton për transparencë publike. Sipas tij, këto dokumenta tashmë janë publike edhe në faqen në internet të KESH.

Çështja e tretë kishte të bënte me ndërprerjen e penalizimit kolektiv për abonentët e KESH dhe që ndërprerjet e energjisë t'u bëhen vetëm atyre konsumatorëve të cilët nuk paguajnë rregullisht faturat. Hartimi i një strategjie të financuar nga KESH dhe hartuar nga kompani të njohura ndërkombëtare ishte hapi që u mendua të çonte në zgjidhjen e këtij problemi.

Çështja e 4 kishte të bënte me riformulimin e kontratave të KESH në mënyrë që të garantohet e drejta e qytetarëve për t'u mbrojtur nga abuzimet, riformulim i cili duhet të përfshijë pjesëmarrjen e grupeve qytetare. Nga ana e Drejtorit Harasani u shpreh gadishmëria për të vënë në funksionim skemën për një riformulim të kontratave, duke ofruar bashkëpunimin me aktorë të shoqërisë civile për të arritur një rezultat në standartet më të mira.

Lidhur me Albtelekom, Lëvizja Mjaft e vlerësoi hapin e ndërmarrë një ditë më parë lidhur me dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Albtelecom dhe të disa funksionarëve të tjerë, duke kërkuar vazhdimi i masave për përmirësimin e situatës, ndër të cilat janë propozimi i uljes së tarifave të telefonisë fikse lokale, transparenca dhe bërja publike e bilanceve dhe pasqyrave financiare të kësaj kompanie, si dhe mundësia për t'u dhënë konsumatorëve fatura të detajuara.

Ministri i Shtetit garantoi për vullnetin e Qeverisë për të ndërrmarë hapa konkret në këtë drejtim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›