Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot në qytetin e Sarandës një takim pune me Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. Në takim ishin të pranishëm Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Republik
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot në qytetin e Sarandës një takim pune me Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. Në takim ishin të pranishëm Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Republikës Edi Rama, Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, Ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli dhe Ministri i Rregullimit të Territorit e Turizmit, Bashkim Fino.
Në fillim të takimit, Kryetari i Bashkisë së Sarandës Edmond Gjoka ka falenderuar Kryeministrin Fatos Nano për nismën e marrë për diskutimin e problemeve që shqetësojnë bashkitë për procesin e decentralizimit dhe të urbanizimit.
Duke marrë fjalën Kryeministri Nano është shprehur se Saranda duket se mishëron në mënyrë mjaft komplekse të gjitha arritjet dhe mosarritjet e tranzicionit tonë të mundimshëm. "Kjo tryezë shpreh më së miri se si pozita dhe opozita mund të bashkëpunojnë larg frymës së mitingjeve", tha Z. Nano.
Takimi, i zhvilluar në formën e një bashkëbisedimi, është fokusuar mbi çështjet decentalizimit të pushtetit, të urbanizimit e turizmit, si dhe forcimit të bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Në mënyrë të veçantë theksi u vu në thellimin e reformës në procesin e decentralizimit të pushtetit vendor, ku u diskutuan rrugë të reja për zbatimin në praktikë të këtij proçesi.
Kryeministri Nano e vlerësoi të domosdoshme nevojën për të shkëmbyer mendimet dhe shqetësimet e përbashkëta kundrejt mjaft problemeve të vjetra e të reja, por kryesisht të reja, në përmbushje të detyrave dhe besimit që na kanë dhënë qytetarët shqiptarë.
"Ndodhemi në një moment të rëndësishëm historik të evolucionit të administratës së Shqipërisë, në momentin e hyrjes në fazën finale të procesit të decentralizimit", tha Kryeministri Nano.
Z. Nano ka nënvizuar se tashmë është lënë prapa koha kur thuheshin sllogane rreth rëndësisë së reformave decentralizuese dhe vullnetit pozitiv të qeverisë për t'i çuar përpara ato. Tani, tha Z. Nano, gjendemi përballë një procesi i cili ka filluar dhe ka nevojë të implementohet jo vetëm në objektivat dhe rezultatet, por edhe në shpejtësinë e zhvillimit. Ai ka tërhequr vëmendjen se është pikërisht mosgjetja e një emëruesi të përbashkët të marsheve me të cilat bashki të caktuara apo dhe struktura të caktuara të qeverisë, që krijon ngadalësime apo keqkuptime të reformës së madhe që të gjithë bashkë po kryejmë.
Duke u ndalur në problemet me të cilat përballet pushteti vendor, Kryeministri Nano ka nënvizuar një sërë vështirësish që ngat poblemet me rrugët urbane, me kalimin drejt qeverisjes vendore të ujësjellësave, probleme të reformës së strehimit apo të kompetencave në fushën e planifikimit urban. Por, - ka shtuar Z. Nano, në një shoqëri në ndryshim si kjo e jona, më e rëndësishmja është që kemi vullnetin për t'u ulur bashkë rreth një tavoline, për të mos thënë se kjo është puna jote e kjo është puna ime dhe secili të vijojë në një drejtim të vetin pa një strategji të përbashkët, e cila është dhe mbetet ajo e integrimit me familjen e përbashkët europiane.
Tryeza të tilla, - ka përfunduar Kryeministri Nano, - krijojnë mundësi për të shtruar probleme përballë njëri tjetrit dhe jo probleme që mbeten vetëm për konsum mediatik. "Nuk ka probleme pa zgjidhje. Është për këtë arsye që kam vendosur, jo thjesht si vullneti imi, apo i shoqatës, por si vullnet i përbashkët të institucionalizojmë këtë tavolinë. Kjo tavolinë, vërtet nuk pretendon të zgjidhë in situ problemet, por i parashtron ato dhe lë detyrime, të cilat në takimin e ardhshëm do të shërbejnë si axhendë për të parë se ç'progres kemi bërë", tha Z. Nano.