Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot pasdite një takim me Presidentin e Komitetit për Demokracitë në Tranzicion pranë Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bruce
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot pasdite një takim me Presidentin e Komitetit për Demokracitë në Tranzicion pranë Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bruce Jackson, i shoqëruar nga Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, James Jeffrey.
Duke biseduar per zhvillimet ne vend Kryeministri Nano ka theksuar vendosmërinë e qeverisë që ai drejton për vazhdimin dhe thellimin e reformave integruese, për të ecur në rrugën e progresit së bashku me partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Ambasadori Jeffrey ka informuar Kryeministrin Nano për faktin se Shqipëria është identifikuar tashmë si një ndër 63 vendet kandidate për "Millenium challenge account". Kjo janë shprehur zyrtarët amerikanë vjen si rezultat i progresit që ka bërë Shqipëria pas hapave të ndërmarra nga Qeveria e saj drejt progresit në refomat e gjithanshme për zhvillimin e vendit. Po ashtu ata kanë vlerësuar në veçanti reformat që ka ndërmarrë dhe po ndërmerr Shqipëria për integrimin në NATO.
Ata vunë gjithashtu në dukje përpjekjet e vlerësueshme të Shqipërisë edhe në luftën kundër terrorizmit, ku Shqipëria siç dihet është pjesë e koalicionit global antiterrorizmit.
Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, bashkëbiseduesit kanë diskutuar lidhur me nevojën e zgjerimit dhe forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit për forcimin e stabilitetit dhe për të kryer së bashku hapat e duhura për integrimin euroatlantik, si dhe përshpejtimin e reformave integruese, që do t'i çojnë ata më pranë strukturave euroatlantike. Z. Jackson dhe ambasadori Jeffrey kanë vlerësuar në këtë kuadër rolin që ka luajtur dhe po luan Shqipëria për rritjen e stabilitetit, të frymës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në rajon, si dhe për nxitjen e inisiativave integruese rajonale.