E Diel, 1 Nëntor 2026

Eshton shmang Shqipërinë, sot në Kosovë

Shefja e diplomacisë europiane, Kethrin Eshton, filloi dje turneun ballkanik, ku Bosnja ishte ndalesa e parë. Në Sarajevë ajo deklaroi se ka tri mesazhe për Bosnjën. “Së pari, Bosnja është një shtet me tri komunitete; së dyti, e ardhmja e vendit është në Bashkimin Europian dhe së treti, ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë vendin tuaj të përmbushë aspiratat e veta”, tha Eshton. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian ka tërhequr vërejtjen kundër politikës së ndarjes në Bosnjë-Hercegovinë dhe ka thënë se në bashkëpunimin rajonal duhet të përfshihet Kosova. Ajo këto komente i bëri në Beograd, ku arriti pas vizitës në Sarajevë. Eshton theksoi se pranimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian “do të marrë kohë”.

Sipas saj, “sfida të rëndësishme” ende gjenden para të gjitha vendeve të këtij rajoni, para se ato t’i bashkohen Bashkimit Europian. Në këtë kuadër ajo theksoi se vendet e Ballkanit duhet ta përmirësojnë bashkëpunimin rajonal dhe t’i zgjidhin mospajtimet kufitare dhe tregtare. Eshton tha se “ne e dimë se ku dëshirojmë të përfundojmë – me të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”. është paralajmëruar se sot zonja Eshton viziton Kosovën. Vizita e Eshtonit në Kosovë do të zhvillohet dy ditë pas festimit të përvjetorit të pavarësisë. Pesë nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur Kosovën.

Në prag të vizitës në Kosovë, Eshton theksoi se në Prishtinë ajo do të diskutojë “përparimin në rend dhe ligj, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe qeverisjen e mirë”. Bie në sy fakti se Eshton gjatë turit të saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor nuk viziton Shqipërinë. Të njëjtën gjë bëri disa muaj më parë edhe paraardhësi i saj, Havier Solana, i cili kreu një vizitë në Ballkan ,duke mos preferuar të vizitojë kryeqytetin e Shqipërisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›