E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Jo bojkot! Hetim të plotë e tërësor zgjedhjeve

Deklarata Presidenti i Asamblesë Parlamentare takon Topallin dhe Ramën

Më 17 dhe 18 shkurt në Vjenë, presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z. Joao Soares, u takua me Jozefina Topallin, Kryetaren e Parlamentit shqiptar, me Edi Ramën, liderin e Partisë Socialiste dhe me zyrtarë të tjerë të zgjedhur. Në vijim të këtyre takimeve, presidenti Soares, rikonfirmoi dje mbështetjen e tij për raportin e OSBE-së për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Deklaratat paraprake paszgjedhore të OSBE-së më 29 qershor 2009, i vlerësuan zgjedhjet si të përmirësuara dukshëm, por theksuan se disa shkelje vazhdojnë.

“Misioni i OSBE-së u kryesua nga zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare, Wolfgang Grossruck, i cili ka shumë eksperiencë. Ndërsa vuri re përmirësime, ai dhe ekipi i tij rreshtuan një sërë çështjesh të rëndësishme që kishin nevojë të adresoheshin. Akuzat për vjedhje elektorale të bëra nga opozita, duhet gjithashtu të shihen”, tha Soares. Ai u bëri thirrje deputetëve të zgjedhur të opozitës që të pranojnë sa më shpejt karriget e tyre në Parlament. “Në interes të stabilitetit dhe për të vazhduar më tej dialogun dhe ripajtimin, u bëj thirrje kandidatëve të zgjedhur të pranojnë menjëherë mandatet e tyre në Parlament. Unë përshëndes shprehjen e vullnetit nga të dyja palët për të marrë pjesë në një komision parlamentar që do të kryejë një investigim të plotë dhe të hollësishëm të zgjedhjeve në respektim të Kushtetutës dhe vendimeve përkatëse të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai. Në vlerësimin e 29 qershorit 2009, vëzhguesit thanë se zgjedhjet bënë progres të dukshëm në drejtim të procedurave të regjistrimit dhe identifikimit të votuesve të rinj dhe në adaptimin e kornizës juridike të përmirësuar. Por, vëzhguesit vunë re gjithashtu se këto përmirësime u futën nën hije nga politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe shkeljeve që u vunë re gjatë fushatës, të cilat cenuan besimin publik në procesin elektoral.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›