Aksidenti, plagosen katër policë burgjesh
Katër policë burgjesh janë aksidentuar nga përplasja e makinës së tyre me një tjetër mjet, teksa udhëtonin në rrugën Durrës-Kavajë. Drejtuesi i mjetit të policisë ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një makinë “Alfa Romeo”, duke sjellë edhe plagosjen e shoferit tjetër. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Mali i Robit. Sipas të dhënave policore, rreth orës 13.20, mjeti me targë “Policia 7010”, ka qenë duke ecur në kahun Durrës-Kavajë dhe drejtohej nga Adri Dhrama, 29 vjeç, punonjës i policisë së burgjeve. Në atë kohë, gjatë një parakalimi është përplasur me një mjet “Alfa Romeo”, me targë KJ 6201 A, me drejtues Dëfrim Leçinin, 30 vjeç, i cili po vinte nga Kavaja në drejtim të Durrësit. Si pasojë e përplasjes janë lënduar dy drejtuesit e mjeteve, si dhe tre punonjës të tjerë të policisë, që ndodheshin në mjetin e parë. Burimet policore shpjeguan se tre personat e tjerë të aksidentuar janë Ilirian Roda, 47 vjeç, Denis Vasia, 33 vjeç dhe Asllan Karafili, 32 vjeç. Menjëherë pas aksidentit, dëshmitarët okularë kanë ndaluar në rrugë dhe u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve. Menjëherë ata i kanë dërguar për në spitalin rajonal të Durrësit dhe pas mjekimeve të marra, tashmë ndodhen në banesë. Më vonë, shërbimet e policisë së rendit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer veprimet procedurale, nga ku ka rezultuar se shkak i aksidentit është bërë mjeti i policisë. Në përfundim, materialet për këtë aksident janë referuar në Prokurorinë e Kavajës.
#