E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Përjashtimet në PS, favor për Berishën

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, u bën thirrje kolegëve të tij socialistë që të heqin dorë nga përjashtimet, pasi kjo shkon në favor të kundërshtarit të tyre, Sali Berishës.

Koçi tha se përjashtimi sjell humbje dhe jo fitore, ndaj drejtuesit socialistë duhet të heqin dorë nga deklarata dhe qëndrime të tilla. “Mendoj se disa deklarata të fundit të lëshuara nga titullarë zyrtarë të PS-së duhen rimenduar dhe korrigjuar për të dëshmuar aftësi të nxjerrjes së mësimeve nga rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Duhet hequr dorë nga fryma dhe deklaratat për përjashtime. Përjashtimi sjell humbje dhe jo fitore. U lutem gjithë kolegëve dhe miqve në PS të vendosin komunikimin dhe dialogun në vend të frymës së përjashtimit klasor me të gjithë ata që mendojnë se politika e partisë duhet administruar ndryshe”, tha ai. Më tej, ish-drejtuesi i PS-së tha se kënaqësia e përjashtimeve është e rrezikshme jo vetëm për partinë, por sidomos për vendin dhe shoqërinë. “Në demokraci e pluralizëm nuk ka kurrë vetëm dy rrugë, por shumë alternativa. Dy rrugë ka vetëm gjatë diktaturave, ose me to ose kundër tyre. Socialistët e PSV gjykojnë se demokratizimi i PS-së mbetet jetik për të ardhmen e së majtës dhe të vendit, prandaj nxisin dialogun e brendshëm dhe jo përjashtimin në PS”, nënvizoi Koçi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›