Topi: Na duhet përvoja kroate për në BE
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar dje një takim të veçantë me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviç, menjëherë pas ceremonisë së inaugurimit të tij në këtë detyrë, të mbajtur dje në Zagreb dhe pati me të një bisedë të ngrohtë e miqësore. Gjatë bisedës, Presidenti Topi e njohu Presidentin kroat Josipoviç me zhvillimet më aktuale në Shqipëri për realizimin e reformave integruese të vendit në Bashkimin Europian. Presidenti vuri në dukje se shteti shqiptar dhe qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm për të gjitha sfidat, me të cilat do të përballen në vijimësi për të qenë dhe për të ruajtur standardet e familjes europiane dhe për këtë nënvizoi përkushtimin e plotë maksimal të tyre. “Ne përgëzojmë progresin e arritur nga Kroacia dhe çeljen e bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE, si dhe vlerësojmë veçanërisht të rëndësishme përvojën e Kroacisë në procesin e përbashkët për integrim në strukturat e saj”, theksoi Presidenti Topi. “Në kuadër të lehtësimit të mëtejshëm të regjimit të vizave që po përpiqemi të arrijmë me BE-në, do të vlerësonim hapat që pala kroate do të ndërmerrte ndaj Shqipërisë për heqjen e sistemit të vizave nga pala kroate”, u shpreh kryetari i shtetit.
#