Dule: PD-PS kanë mentalitet totalitar
Opozita ka të drejtën e transparencës, për sa i përket procesit zgjedhor dhe për këtë arsye kutitë duhet të hapen. Kjo ishte deklarata që bëri dje kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, gjatë mbledhjes së këshillit të përgjithshëm drejtues të kësaj partie. Sipas tij, opozita me kërkesat e saj në tryezën e Presidentit të Republikës, nuk kërkon ta kontestojë rezultatin e zgjedhjeve dhe as të hedhë poshtë vendimet e gjykatave. “Askush nuk konteston vendimet e gjyqësorit. Askush nuk pretendon rishikim të vendimeve të gjyqësorit. Askush nuk mund të kërkojë as politikisht as juridikisht rishqyrtim të rezultatit zgjedhor. është e thënë, por çdo qytetar i thjeshtë, në çdo vend, qoftë edhe me demokraci embrionale, ka të drejtën e transparencës”, deklaroi Dule përgjatë mbledhjes së djeshme të PBDNJ-së. Nga ana tjetër, kryetari i PBDNJ-së theksoi se partia e minoritetit e mbështeste fuqimisht tryezën e thirrur nga Presidenti Bamir Topi dhe nga ana tjetër shpresonte se mes kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe kryetarit të mazhorancës, Sali Berishës, do të gjendet një zgjidhje. Sipas Dules, zgjidhja duhet të gjendet sa më shpejt të jetë e mundur.
“Nuk është momenti që të humbet më kohë. Ne mbështesim fuqimisht tryezën e Presidentit të Republikës. E kishim kërkuar shumë kohë më parë, por edhe tani mund të jetë shumë e vyer”, theksoi Dule. Por kryetari i PBDNJ-së theksoi gjithashtu se të dyja partitë kryesore, PS dhe PD, kanë mentalitet totalitar dhe për këtë arsye zgjidhja po vonon. Nga ana tjetër, kryetari i PBDNJ-së sulmoi edhe mazhorancën qeverisëse, duke theksuar se përfaqësuesit e saj nuk po linin rast pa sulmuar partinë e minoritetit. Sipas Dules, pothuajse të gjithë anëtarët e kësaj partie, të cilët kanë qenë pjesë e administratës, janë larguar nga puna. Prej kohësh mes minoritetit grek në vend kanë nisur përçarjet, të cilat kanë marrë nismën pas refuzimit të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule për të qenë pjesë e koalicionit të djathtë të drejtuar nga kryetari i PD-së, Berisha.
#