Klosi: Berisha të ngrejë komisionin hetimor
Partia Socialiste ripërsëriti dje qëndrimin e saj për hapjen e kutive, ndërsa theksoi se PS-ja e ka bërë lëshimin e saj, duke njohur rezultatin. Sipas sekretarit organizativ, Blendi Klosi, tanimë i takon Berishës që të ngrejë komisionin hetimor për të bërë një hetim të plotë të zgjedhjeve. “Qëndrimi i Partisë Socialiste është i qartë: hetim i plotë i zgjedhjeve pa ndryshim rezultati; një qëndrim parimor i bazuar në vlerat e standarde europiane të demokracisë, në respekt të plotë të Kushtetutës, ligjit dhe institucioneve të pavarura të Shqipërisë. Një qëndrim parimor, sepse me anë të këtij hetimi Partia Socialiste nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, por dhënien fund njëherë e mirë të historisë së manipulimit të zgjedhjeve”, deklaroi Klosi.
Deputeti socialist theksoi se është refuzimi i Sali Berishës për t’i njohur opozitës këtë të drejtë, që përbën një shkelje të hapur të Kushtetutës. “Partia Socialiste e ka ofruar tashmë kompromisin e saj të madh, duke njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pavarësisht rezervave në lidhje me mbarëvajtjen e procesit. I takon tani mazhorancës që të kontribuojë për zgjidhjen e krizës, duke lejuar krijimin e një komisioni hetimor parlamentar me objekt të pakufizuar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit”, vijoi drejtuesi i lartë kësaj partie.
#