E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtrat, Berisha: Nënë Tereza i përket Indisë

TIRANE- Pak ditë pasi deklarata e tij për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri ka hapur debate mes Tiranës dhe Nju Delhit, Kryeministri Berisha deklaron se Nënë Tereza i përket pa diskutim Indisë, pasi në atë vend ajo u shndërrua në një shenjtore të gjallë, të mbarë njerëzimit.
“Gonxhe Bojaxhi u bë Nënë Tereza në Kalkuta të Indisë dhe ajo meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet Nënë Tereza e Kalkutës. Nga ky qytet dhe nga ky vend i madh ajo u shndërrua në një shenjtore të gjallë të mbarë njerëzimit dhe nuk ka diskutim që i përket Indisë, i përket Kalkutës, që e bën atë Nënë të njerëzimit”. Pavarësisht kësaj deklarate, Berisha nuk tërhiqet nga kërkesa për kthimin në Shqipëri të eshtrave të Nënë Terezës.
“Kërkesa ime është thjesht njerëzore, sepse kam bindjen se, në fund të fundit, çdo njeri, çdo vajzë do të dëshironte, po të kishte mundur të prehej pranë eshtrave të nënës dhe motrës së saj. Nuk mund të them se do të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane, sepse ky është një vendim i vështirë, por ajo që mund të them është se kjo është një temë dialogu dhe dua të theksoj se një simbol kaq i madh dhe i çmuar që bashkon dy kombet tona nuk mund të jetë gjë tjetër veçse i tillë, nuk mund të shndërrohet në një kundërshti midis dy kombeve dhe dy vendeve tona.” u shpreh kryeministri.

Deklarata u bë ndërsa kryeministri me bashkëshorten e tij vizituan misionin e motrave të Urdhrit të Nënë Terezës në Tiranë, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar dhe të mbarë njerëzimit, por edhe të vazhdimit të përpjekjeve dhe të përkushtimit njerëzor të Urdhrit të saj në ndihmë të njerëzve në nevojë.
“Sot, është një ditë e shënuar për mbarë njerëzimin, dita e Lumturimit të Nënë Terezë, dita në të cilën nisi shenjtërimi i saj, e cila jetoi si një shenjtore e gjallë, Ditë krenarie e njeriut, e shqiptarëve, por e mbarë qytetarëve të botës. Unë erdha të shpreh nderimin tim më të thellë, respektin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ndaj kësaj shqiptareje që lartësoi më shumë se kushdo tjetër e emrin e njeriut, të shqiptarit, të qytetarit të mbarë botës, nobelistes Gonxhe Bojaxhi. Erdha të shpreh nderim të madh për motrat e Urdhrit të saj, që në vazhdim të misionit të Nënë Terezës u ofrojnë këtyre qytetarëve në nevojë shërbimet më të njerëzishme me përkushtimin dhe dashurinë më të madhe,” u shpreh Kryeministri.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›