KQZ: Sot, afati i fundit për kandidatët dhe komisionerët
TIRANE- Skadon sot afati i vendosur nga KQZ-ja për regjistrimin e emrave të kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme vendore, si dhe paraqitjes së propozimeve për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor nga partitë politike. Ndonëse afati i paracaktuar për këto procedura ishte data 18 tetor për regjistrimin e kandidatëve dhe 19 tetor për emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, dy data që në kalendar janë zyrtarisht pushim, afatet shtyhen për të martën, kur dhe është paralajmëruar një mbledhje e Komisionit Zgjedhor. Deri tani, vetëm PD-ja dhe pjesërisht LSI-ja i kanë dorëzuar propozimet, ndërsa PS-ja dhe PBDN-ja nuk kanë paraqitur ende emrat në respektim të ligjit. Sipas Kodit Zgjedhor, këto katër subjekte janë të detyruara të propozojnë komisionerë. Por, PS-ja ka vendosur tashmë bojkotin e tyre.
(s.g/BalkanWeb)
(s.g/BalkanWeb)