E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dom Gjergj Meta: Nënë Tereza të mbetet në Indi

TIRANE- Kisha Katolike shqiptare kundërshton propozimin e kryeministrit Sali Berisha për të sjellë në Shqipëri eshtrat e Nënë Terezës. Dje, në ditën e 6-vjetorit të Lumturimit të saj, përfaqësuesi i kishës katolike, Dom Gjergj Meta shpjegoi se përgjithësisht shenjtorët, siç tashmë është edhe Nënë Tereza mbeten në vendet ku kanë vdekur. Dom Gjergj Meta, ndonëse nuk ka mbajtur një qëndrim zyrtar ndaj kërkesës së qeverisë shqiptare për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri tha se, “varret e shenjtërve përgjithësisht bëhen edhe vende pelegrinazhesh. Varri nuk është thjesht një varr në vetvete, por është krejt një kontekst në të cilin ka lindur vepra, karizma e Nënë Terezës, që është India, është Kalkuta”.

Përfaqësuesi i Kishës Katolike shpjegoi edhe procesin e shenjtërimit që merr në konsideratë jo vetëm mrekullitë, por çdo element që ka të bëjë me jetën e saj, madje edhe letrat e Nënë Terezës të botuara pak kohë më parë, në të cilat ajo rrëfen errësirën e shpirtit. “Vetë Nënë Tereza tha se, ‘nëse një ditë do të jem shenjt, do të jem shenjt e errësirës’. Këtu qëndron edhe merita e madhe e Nënë Terezës. Kjo, jo vetëm nuk e ngadalëson procesin, por përndryshe edhe e përshpejton, sepse mbi të gjitha ajo qëndron besnike dhe thotë, ‘kërkoj vetëm Zotin dhe e di që vepra që unë po bëj është vepra e tij’”, - nënvizoi Dom Gjergj Meta.

Ky është reagimi i një pjesëtari të Kishës Katolike Shqiptare, e cila nuk ka pranuar të prononcohet si institucion për një çështje të tillë. Por, si procedurë kjo kishë i njeh vendet e shenjtëve të vdekur si vende pelegrinazhi, siç është edhe Kisha e Shna Ndout në Laç, apo vende të tjera të cilat konsiderohen të shenjta për besimtarët katolikë, por edhe të besimeve të tjera.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›