E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria po pengon procesin për Remzi Hoxhën”

TIRANE-"Qeveria e sotshme shqiptare, e cila ishte në pushtet edhe në kohën e zhdukjes së Remzi Hoxhës, tani mundohet ta pengojë procesin gjyqësor në mënyra nga më të ndryshmet". Kështu shkruan në një reagim drejtuar mediave Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i zhdukur nga SHIK-u në vitin 2003. Familja e Remzi Hoxhës ka paralajmëruar një protestë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, ku pritet të zhvillohet procesi i radhës kundër ish-oficerëve të lartë të SHIK-ut dhe që korrespondon me 14-vjetorin e zhdukjes së Hoxhës. "Deri në vitin 2002 të gjitha strukturat shtetërore të Shqipërisë e mohuan involvimin e pjesëtarëve të SHIK-ut në këtë rast. Me insistimin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë, pasi u zbuluan provat mbi përkatësinë e veturës (targa e veturës që është parë duke e marrë Remzi Hoxhën) është hapur procedurë penale kundër tre pjesëtarëve të SHIK-ut, të cilët në vitin 2003, me urdhër të prokurorisë u paraburgosën", - thuhet në njoftimin e familjes Hoxha që vijon: "Pas qëndrimit në paraburgim prej 8 deri 9 muajsh, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë z. Theodhori Sollaku, në kundërshtim me ligjin urdhëroi lirimin e tyre duke u arsyetuar në ligjin mbi amnistinë për ngjarjet e vitit 1997, të cilat Shqipërisë i sollën gjakderdhje të mëdha. Prokurori publik hoqi dorë nga ndjekja penale dhe për të mbuluar këtë skandal juridik, prokurori Sollaku lëndën e dërgoi në polici për, kinse, hetime të mëtutjeshme". Njoftimi tregon se: "Familja Hoxha u mbajt në lajthitje për 10 vite me radhë, me premtimin se e vërteta do të zbulohet sado e dhimbshme që është. Sot janë duke u gjykuar katër nga nëntë personat që e kishin zhdukur Remziun, nga të cilët Ilir Kumbaro pritet të ekstradohet nga Anglia në Shqipëri, ku qëndronte i fshehur për një kohë të gjatë me identitet të rrejshëm".

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›