E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në Gramsh, mbeten pa punë 107 mësues

GRAMSH-Rreth 107 mësues e edukatore në tërë rrethin dy javë më parë kanë shkëputur marrëdhëniet financiare me degën e Zyrës Arsimore në Gramsh dhe nuk kanë përfituar as asistencë, ndërsa zyrtarisht pranohen vetëm 85 shkurtime. Vendimi është mbështetur vetëm në një udhëzim të dhënë nga ish-ministri i Arsimit, Genc Pollo në vitin 2006, por në emër të "reformës" janë hequr afro 9 për qind e të gjithë mësuesve të këtij rrethi. Sipas kreut të arsimit të këtij rrethi, Kajo Braho, është marrë si kriter ulja e numrit të nxënësve në shkollat e fshatit, mësuesit me arsim të mesëm pedagogjik dhe ata jashtë profilit në mësimdhënie. Në fakt, vetëm ky kriter ka qenë në udhëzimin e ish-ministrit Pollo, (për ata mësues me pedagogjike që kanë mbaruar pas vitit 1989, të cilëve nuk u njihet diploma e Normales), ndërsa dy kategoritë e tjera Braho i ka shpjeguar si kritere të reformës. Kjo e fundit ka nxjerrë të papunë dhjetëra mësues me përvojë dhjetëra-vjeçare e me tituj, si dhe të diplomuar për Gjuhë-Letërsi e të tjerë kuadro me arsim të lartë. "Këto shkurtime kanë prekur në përgjithësi mësuesit me arsim të mesëm si dhe edukatorët, dhe janë bërë si rezultat i uljes së numrit të nxënësve në shkollat e fshatrave", - ka sqaruar kreu i arsimit të Gramshit, Kajo Braho. Sipas statistikave, nëse katër vjet më parë në rrethin e Gramshit uleshin në bankat e shkollës 8.100 nxënës të të gjitha kategorive, sot ky numër është reduktuar në 5.300 si rezultat i hemorragjisë demografike. Sipas kreut të arsimit, numri i nxënësve të shkollave të fshatit është i papranueshëm për të lënë hapur shumë shkolla dhe mesatarja si rreth mbetet në 17.6 nxënës për çdo klasë. Nga ana tjetër, në qytet fakt i panjohur për zyrën arsimore mbetet se numri i klasave në jo pak raste i kalon 42 nxënës, çka i jep të drejtën zyrës arsimore për çeljen e klasave të reja duke qenë se ka klasa të mbipopulluara. Sidoqoftë, kjo mbetet "reforma" arsimore në këtë rreth dhe për çudi, shefi i arsimit, Kajo Braho, me të firmosur largimin nga puna të 107 mësuesve ka dhënë edhe vetë dorëheqjen, të cilën e ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›