E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Batutat e Berluskonit”, Intelektualët shqiptarë në Itali: Të kërkojë falje

ROME- Gazetarë e krerë të shoqatave shqiptare në Itali kanë firmosur një letër të hapur në të cilën sqarojnë arsyet pse ndihen të fyer nga batutat e kryeministrit Berluksoni gjatë konferencës me kreun e qevrisë shqiptare Berisha duke kërkuar që kreu i qeverisë italiane të kërkojë falje publike për të gjitha gratë shqiptare që jetojnë e punojnë në Itali. Në letër thuhet: “Po të mos ishte për batutat e kryeministrit Berkuskoni, vizita në Itali e homologut të tij shqiptar Sali Berisha ndoshta do të kishte kaluar pa u vënë re. Por gjatë konferencës për shtyp , teksa flitej për luftën kundër skafistëve e gomoneve Berluksoni shprehet “Do bëjmë një përjashtim për ata që na sjellin vajza të bukura”. Pavarësisht se kryeministri Berluksoni njihet për batutat e tij, konsiderojmë se deklarata është një shprehje ofenduese ndaj femrave shqiptare që jetojnë e punojnë ndershmërisht në Itali e në Shqipëri. Kreu i qeverisë bëri shaka me një nga plagët më të mëdha të tranzicionit demokratik në Shqipëri: Trafikimi i qënieve njerëzore. Kryeministri Berluksoni duhet ta dijë se “vajzat e bukura shqiptare” vazhdojnë të na i sjelin nga Shqipëria për ti nxjerrë në trotuare apo për ti punësuar në qendra shëndetësore të rreme ku italianët e pasur i përdorin për të clodhur veten nga ngarkesat dhe punët e përditshme. Janë trafikanetët e qënieve njerëzore dhe krimi i organizuar që po menaxhon shfrytëzimin e prostitucionit. Të flasësh për një argument kaq delikat dhe të dhimbshëm me batuta maskiliste , do të thotë të ofendosh punën e atyre që luftojnë për të drejtat e femrave, në mënyrë që të mos trajtohen si një objekt, por të jenë të barabarta me meshkujt. Përvec të gjithave ky fakt lëndon të gjitha ato familje shqiptare të prekura nga drama të tilla si , humbja, rrëmbimi apo përdhunimi i vajzave të tyre. Jemi të prekur e të lënduar pafundësisht nga fakti që kryeministri i vendit në të cilin jetojmë dhe aspirojmë të bëhemi qytetarë me të drejta të plota , shfaq një sjellje ofensive ndaj shtetit tonë të lindjes duke ofruar një imazh të prapambetur në krahasim me Italinë. Kërkojmë ndjesë zyrtare për të gjitha gratë shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Itali” përfundon letra e hapur e intelektualëve shqiptarë në Itali. Ismail Ademi – konsulent ndërkulturor Irida Cami – gazetare Olti Buzi – Botuesi Albanianeës Keti Biçoku – gazetare, Bota Shqiptare Alban Trungu –Albamedia Brunilda Ternova –gazetare e përkthyese Migena Proi – gazetare e shkrimtare Arlid Hajro – Lidhja e artistëve shqiptarë në Toskana Arta Nikaj –Drejtoresha e ASUF – Studentët Shqiptarë në Firence Darien Levani – Shkrimtar Galdiola Jahoj – Shoqata Shqiptare Rilindja Ermelinda Nikaj Mundija – AlbaPrato – Shoqata Shqiptare Prato Emila Markgjonaj – Psikologe Ledia Miraka - Avokat (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›