Eshtrat në Dajt, Berisha: Task -Forcë për viktimat e komunizmit
Autori i Lajmit: RedaksiaPak ditë pas gjetjes së disa skeletëve njerëzorë para pak ditësh në Malin e Dajtit, qeveria angazhohet të ngrejë një grup të posaçëm pune për zbulimin e trupave që u ekzekutuan nga regjimi komunist.
Këshilli i Ministrave do të miratojë në mbledhjen e tij të ardhshme ngritjen e një Task-Force për kërkimin këtyre eshtrave.
Kryeministri Berisha
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha paralajmëroi ngritjen e një Task-Force për kërkimin, gjetjen dhe evidentimin e viktimave të regjimit komunist në Shqipëri. Duke qenë se kjo do të jetë një procedurë e përcaktuar shtetërore, Kryeministri kërkoi që të gjitha institucionet tu përgjigjen detyrimeve të tyre. Berisha bëri të ditur se javën që vjen qeveria do vendosë ngritjen e një Task-Force, e cila do të merret me kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e të ekzekutuarve nga regjimi diktatorial. Berisha theksoi se Task- Forca do të merret me kërkimin dhe gjetjen e trupave të burrave dhe grave, intelektualëve dhe punonjësve, qytetarëve të këtij vendi që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist, vetëm sepse besonin te fjala e lirë, te Zoti, tek vendi i tyre, pra në vlera sa hyjnore aq edhe njerëzore". Kryeministri kërkoi që Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të përgatisin vendimin që përcakton procedurat e ngritjes së kësaj Taske Force dhe ta sjellin atë në Qeveri.
Reagimi i PS-së
Identifikimi i viktimave të gjetura në malin e Dajtit dhe organizimi i një ceremonie në kujtim të tyre është kërkuar dje nga Partia Socialiste. Deputetja Olda Xhaçka i kërkoi në emër të PS-së, Kryeministrit dhe Qeverisë identifikimin dhe zbardhjen e ngjarjes. “Partia Socialiste i kërkon publikisht Sali Berishës të mundësojë, përmes strukturave të specializuara të shtetit, jo vetëm identifikimin e menjëhershëm të eshtrave të gjetura, por edhe zhvillimin e një ceremoniali të denjë në kujtim të viktimave dhe në nderim të familjarëve të tyre.”, u shpreh Xhaçka.
Varri masiv
Tri ditë më parë, më shtatë 7 shkurt, në afërsi të komunës Linzë, pranë malit të Dajtit në Tiranë, u zbulua një varr masiv ku u gjetën eshtrat e 19 personave, që mendohet se janë viktima të krimeve të diktaturës komuniste. Eshtrat u gjetën në sajë të kërkimeve të djalit të njërit prej atyre qindra të dënuarve nga diktatura, të cilëve regjimi komunist u mohoi edhe të drejtën për të pasur një varr. Ndërkohë, që gjetja e këtyre varreve ka hapur një debat edhe politik, por ka ngjallur dhe njëherë shpresën e familjarëve të viktimave të komunizmit, se mund të gjejnë eshtrat e të afërmve të tyre të vrarë vite më parë.
Mjekësia Ligjore, nis
ekspertiza e eshtrave
Mjekësia Ligjore në Tiranë ka nisur dje ekspertimet për identifikimin e eshtrave të 19 personave që janë gjetur në Dajt ditët e fundit, në një zonë që njihet se ka qenë vendi i pushkatimit dhe groposjes së personave që ekzekutoheshin nga regjimi komunist. Ekspertiza nisi pas një vendimi të Prokurorisë së Tiranës. Tre mjekë të mjekësisë ligjore do të bëjnë të mundur identifikimin e eshtrave që besohet se i përkasin personave të ekzekutuar nga diktatura komuniste. Eshtrat janë nxjerrë nga një varr masiv disa ditë më parë, me një iniciativë të familjarëve të të ekzekutuarve. Për identifikimin e eshtrave do të duhet një periudhë e caktuar kohore.
Simon Miraka: “Nga 6 mijë të
ekzekutuar 500 kanë varre”
Drejtori i Institutit të Përndjekurve politik Simon Miraka ka deklaruar se janë 6000 të pushkatuar, ku vetëm 500 prej tyre u dihen varret. Miraka ka theksuar se qeveria duhet bëjë përpjekje, që familjarët e të pushkatuarve të gjejnë varret e të afërmve të tyre. Ai vlerësoi vendimin e Kryeministrit Berisha për ngritjen e një Taks-Force për gjetjen e trupave të të ekzekutuarve. "Nëse do të vihet një çmim për krimet që janë bërë në regjimin komunist Shqipëria merr çmimin e parë në bazë të popullsisë", theksoi Miraka, duke shtuar se çdo i pushkatuar është njeri dhe nuk mund ti mohohet varri. Ndërkohë, në lidhje me rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese e ligjit të Lustracionit, Miraka theksoi se është e pamoralshme që shkaktarët e dënimeve të japin sërish gjykime duke shtuar se kjo gjykatë ka konflikt interesi. Edhe më parë Shoqata e të Përndjekurve Politikë pati deklaruar se do të protestohet për dënimin e krimeve të komunizmit, për fillimin e menjëhershëm të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, për zbatimin e statusit të të përndjekurit politik, si dhe për krijimin e institucionit kombëtar të dënimit të krimeve të komunizmit. Përfaqësuesit e lartë të kësaj shoqate patën deklaruar se nuk do të lejonin që të përdorej politikisht, por shoqërisë shqiptare ti dokumentohen krimet që kanë ndodhur në këtë vend. Sipas, Mirakajt, mbi 3 mijë qytetarë shqiptarë, ka 14 vjet që kërkojnë eshtrat e njerëzve të tyre të vrarë nga diktatura komuniste, të gjitha shpenzimet e veta personale dhe shteti shqiptar nuk ka dhënë asgjë ndaj këtyre heronjve, që ranë për fjalën e lirë dhe për këtë pluralizëm që po gëzojmë ne sot. Por, deri më tani nuk ka pasur asnjë protestë konkrete për hapejn e arkivave, një pretendim ky i kësaj kategorie.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010