Braçe: “Shitja e pasurive publike për të mbushur arkën e shtetit”
Autori i Lajmit: RedaksiaNisma më e fundit e qeverisë për privatizimin e aseteve shtetërore është cilësuar nga Partia Socialiste si një lëvizje për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit. Sipas deputetit Erjon Braçe, kjo bëhet për përfitimin e qeveritarëve dhe për të shlyer borxhin që kjo Qeveri ka bartur nga 2009-ta. “PS vlerëson se të nxjerrësh në shitje gjithë pasurinë kombëtare të vendit duke përfshirë edhe tokën në kushtet e krizës ekonomike, nuk është thjesht mungesë vizioni, por një krim i qëllimtë për të shitur dhe blerë me të lirë nisur nga qëllime korruptive dhe përfitime të mëdha personale në ikje e sipër nga pushtetit. Sali Berisha po nxjerr në shitje gjithçka si garanci për borxhet e reja që do të marrë deri në muajin maj në përputhje me skemën e tij të shlyerjes së borxhit me borxh. Kjo është hipoteka e re e Sali Berishës. Sali Berisha ka thënë se do të rrijë në pushtet deri në vitin 2035. Jam i bindur se borxhet do ta mbysin”,- tha Braçe. Duke llogaritur faturën e borxheve ai pohoi se në 3 vite, do të paguajmë mbi 202 miliardë lekë borxhe ose mbi 2 miliardë dollarë! Të barabarta me 2 vite e gjysmë investimesh publike!
Kryeministri Sali Berisha bëri publik gjatë një mbledhjeje me ministrat e kabinetit planin e tij, i cili sheh privatizimin e aseteve shtetërore si një burim kryesor për të grumbulluar paratë për dëmshpërblimin e ish-pronarëve dhe realizimin e objektivave të Qeverisë. Shefi i Qeverisë deklaroi se ky vit do të jetë përcaktues për pothuaj çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar, përveç shkollave, spitaleve dhe digave.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010