E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “Bojkotit të opozitës po i vjen fundi”

Autori i Lajmit: Redaksia
Pak ditë para tryezës së thirrur nga presidenti Bamir Topi për të zgjidhur krizën politike në vend, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u kujton deputetëve socialistë skadimin e afatit ligjor për mandatet. Megjithatë, ajo shprehet e bindur për rezultatin pozitiv të tryezës së negociatave ndërsa pohon se shumë shpejt opozita do ti japë fund bojkotit. “Kam 6 muaj që pres që të ndalet bojkoti. Nëse kjo ndodh para tryezës, gjatë tryezës apo pas tryezës, e rëndësishme është që të ndalet bojkoti dhe të hyjmë në normalitetin e jetës parlamentare dhe politike. Unë jam optimiste. Jemi në afatet e fundit të skadencës së mandatit të çdonjërit prej deputetëve, që ende nuk kanë ardhur për të bërë betimin dhe nuk janë paraqitur në Parlament. Unë jam e sigurt se bojkoti do të marrë fund si mjeti më i papërshtatshëm, më pak evropian”,- u shpreh Topalli gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e Malit të Zi, Ranko Krivokapiç. Ajo theksoi se seanca e fundit para mbarimit të mandatit është më 4 mars. Dhe e mbështetur nga homologu i Malit të Zi, ku edhe atje ka pasur para pak kohësh një bojkot të Parlamentit, Kryetarja e Kuvendit përsëriti ftesën për deputetët socialistë, duke bërë përgjegjës për bojkotin kreun e socialistëve, Edi Rama. “Përsëris ftesën për çdo deputet, emër për emër, ndërgjegjes së tyre shoqërore dhe politike, ejani në Parlament, keni vendin tuaj, keni hapësirën tuaj, bëni detyrën për të cilën ju ka votuar populli. Jam e sigurt se bojkotit po i vjen fundi. Bojkoti ka vetëm një emër dhe emri është i zotit Rama”, - u shpreh Topalli. Dhe homologu malazez nga ana e tij është shprehur kundër bojkotit të opozitës duke pohuar se në këtë mënyrë cenohet demokracia. “Unë jam i bindur që opozita është e ndërgjegjshme që duhet të kthehet në Parlament për të bërë punën e saj, të përfaqësojë votuesit, të kontribuojë në reformat për liberalizimin e vizave, përndryshe ajo është jashtë loje, duke mos kryer funksionin e saj. Bojkoti është një gabim që i kushton çdo partie politike dhe që duhet mësuar prej tyre. Ata e dinë që duhet ta ndalin bojkotin”, - tha ai. Më tej, dy homologët kanë diskutuar për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi duke synuar integrimin rajonal në Bashkimin Evropian.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›