Besim Ndregjoni: I kemi zbuluar, ja vendet me varret masive
Autori i Lajmit: Anilejda ShëmbitrakuVarri masiv i zbuluar në malin e Dajtit me eshtrat e viktimave të komunizmit ka qenë një tronditje shumë e madhe si për qytetarët shqiptarë, ashtu dhe për qeverinë. Por akoma më i rëndë ka qenë për pasardhësit e të pushkatuarve që nuk u dihej varri, të cilët kanë mbi 20 vite në kërkim të eshtrave të të afërmve të tyre. “Vetëm tek qershiza e burgut të Burrelit mund të jenë eshtrat e pushtetarëve intelektualë të kohës së Mbretërisë që ndërtuan shtetin e parë shqiptar. Janë vendet në Qaf-Bari apo në Spaç etj. Së bashku me të burgosurin politik Bedri Blloshmi kemi shkuar edhe tek antena e Radio Shkodrës, duke kërkuar eshtrat e kryengritësve të revoltës së Qaf-Barit”, kështu ka deklaruar për gazetën “Ballkan” Besim Ndregjoni, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Ai ka theksuar se personat që dënuan me vdekje tani janë në çdo hallkë të qeverisë dhe administratës.
A mendoni se ekzistojnë varre të tjera masive dhe në cilat zona duhet të kërkohet?
Ekzistojnë shumë vende që ne përafërsisht i dimë se ku diktatura i ka pushkatuar prindërit tanë. Kjo për arsye se në vitet ‘90-‘94 shumë ish-= të burgosur të vjetër i dinin vendet. Por dhe vetë mijëra familje të të pushkatuarve pa gjyqe ishin në ndjekje të gjetjes së kufomave. Vetëm tek qershiza e burgut të Burrelit mund të jenë eshtrat e pushtetarëve intelektualë të kohës së mbretërisë që ndërtuan shtetin e parë shqiptar. Janë vendet në Qafë-Bari apo në Spaç etj. Së bashku me të burgosurin politik Bedri Blloshmi kemi shkuar edhe tek antena e Radio Shkodrës duke kërkuar eshtrat e kryengritësve të revoltës së Qafë-Barit. Ekzistojnë vendet, por është detyrë e Qeverisë të bashkëpunojë me ne, të konsultohet seriozisht që t`i japim fund këtij kalvari mbas komunizmit për të respektuar dhe për të ndërtuar një varr për luftëtarët, dhe të shkojmë më 28 nëntor t`u vëmë tufa me lule për jetën që dhanë, me qëllim që Shqipëria të jetë e lirë dhe e barabartë me vendet e tjera evropiane.
Mund të na thoni një listë me emrat e disa prej hetuesve dhe gjyqtarëve, të cilët kanë dhënë dënimet me vdekje për personat që nuk u dihet as varri?
Po, dihen emrat e hetuesve dhe gjyqtarëve. Shtypi i ka prezentë me mijëra herë në media emrat e tyre. Ne para se të dënojmë gjyqtarët e hetuesit, duhet të dënojmë diktatorin Enver Hoxha, që akoma Parlamenti shqiptar nuk i ka hequr dekoratat. Ne s`kemi dënuar akoma Byronë Politike të komunizmit apo institucionet si marksiste-leniniste apo ish-operativët e Sigurimit të Shtetit të diktaturës që kanë mbërthyer demokracinë e brishtë shqiptare dhe ia ndalin frymëmarrjen. Shteti shqiptar është i mbushur me pushtetarë dhe pinjollët e diktaturës në të gjitha hallkat e tij dhe lufta e tyre gjatë këtij tranzicioni është të mbrojnë me çdo kusht simbolikën e komunizmit, a s’e keni parë që bërtasin për 29 Nëntorin, ditën kur terrori komunist e kishte larë me gjak Tiranën me gjakun e intelektualëve të pafajshëm, që para pak muajsh presidenti Topi i shpalli “Nderi i Kombit”. Të rëndësishëm nuk janë emrat, por fenomeni shqiptar që e ndërton demokracinë me administratën e diktaturës komuniste.
Si e shikoni rrugën që ka marr procesi i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politikë?
Procesi i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë e ka kaluar rrugën ligjore dhe tani është në fazën e ekzekutimit si ligj nga organet financiare, pikërisht institucioni i Ministrisë së Financës. Sigurisht që ka neglizhenca burokratike, të cilat për mendimin tim duhet që ky institucion ligjor t`i tejkalojë dhe vendimet e Këshillit të Ministrave të zbatohen dhe të mos ketë sorollatje. Këtu nuk përjashtoj dhe pjesën e të përndjekurve sidomos trashëgimtarët që duhet të pajisen me dokumentet e trashëgimisë në bazë të Kodit Civil për trashëgiminë. Ecuria është e ngadalshme në krahasim me vendimet që ka marrë Këshilli i Ministrave. Përfundimisht, për të burgosurit politikë kjo çështje është vënë në rrugë të mbarë nga ana e shtetit. Vetëm duhet që të zbatojnë me përpikëri vendimet e Qeverisë që të fillojnë të marrin këstet e dyta, sigurisht pa harruar të parat që i vonojnë për arsye dokumentacioni. Dëmshpërblimi nuk duhet të jetë barrierë, që me këtë ne zgjidhëm problemet sociale të integrimit të të përndjekurve politikë. Jo, dëmshpërblimi është një detyrim ligjor kushtetues, që duhet të shoqërohet me programe kombëtare për të integruar këto familje që iu shkaktuan trauma të pariparueshme, që është e vështirë të riparohen për të mbijetuarit e regjimit komunist, por duhet që ne të mendojmë për fëmijët e tyre.
A mendoni se me rishikimin e buxhetit do të rishikohet dhe fondi për këto dëmshpërblime?
Nuk është problem buxheti, po të bëjmë një llogaritje shumë të thjeshtë: Të marrim dhe të llogarisim sa bakër dhe krom ka nxjerrë nga Bulqiza, Spaçi, Rubiku apo tharja e kënetës së Maliqit, Tërbufit, Thumanës, Gjadrit etj., këta qytetarë kundërshtarë të diktaturës që sot quhen të përndjekur politikë, besoj që buxheti është shumë i vogël për t`i dëmshpërblyer. Shteti ka detyrime ndaj qytetarëve të vet për t’u shërbyer, e pak më shumë këtyre që dhanë gjithçka kundër diktaturës. Prandaj unë do ta quaja jo dëmshpërblim, se dëmin nuk mund ta paguajë asnjë shtet, por detyrimin për këta qytetarë që u ka shteti dhe shoqëria në përgjithësi. Buxheti vetëm duhet shtuar dhe jo pakësuar për të likuiduar pa asnjë lloj hezitimi burokratik të burgosurit politikë të regjimit komunist.
Thirrje
“T`u japim një varr heronjve”
“Thirrja ime për qeverinë është: të nisim konsultat së bashku për të krijuar një Task-Forcë që të gjejmë eshtrat e këtyre luftëtarëve, t`i varrosim me nderimet që u takojnë, dhe t`i shpallim Dëshmorë të demokracisë e kombit shqiptar. Me këtë veprim të moralshëm e kombëtar ne kryejmë një detyrim ndaj historisë dhe kontributeve të këtyre qytetarëve të nderuar të kombit shqiptar. Të mos krijojmë një Task-force siç është i ashtuquajturi Institut i Integrimit që nuk ka asnjë lloj atributi për t`i shërbyer integrimit të të përndjekurve politikë. I kërkoj qeverisë që të ndërgjegjësohet për detyrimin që ka ndaj kësaj shtrese që ka 20 vite që e voton. Vota që prej 20 vitesh që merr PD, të shërbejë për një nderim ndaj martirëve që qëndresa e tyre u dha forcë në vitin ‘90 të përfshiheshin në pluralizmin e shoqërisë mbas 45 viteve diktaturë komuniste”.
Zbulimi
Mbi 2 mijë familje i kanë gjetur vetë eshtrat
Zbulimi i një varri nuk ishte ndonjë lajm i papritur për ne të përndjekurit politikë. Kjo qe një rrufe e pastër ndaj politikës, e cila ka më shumë se 20 vjet që nuk dëgjon zërin tonë, që mbi 2000 familje të të përndjekurve politikë i kanë gjetur vetë eshtrat e familjarëve të tyre, pa pasur asnjë lloj ndihme shtetërore. Sot dëgjova në lajme që kryeministri Berisha, javës që vjen, do të krijojë një Task-Force për të gjetur eshtrat e qytetarëve që kundërshtuan regjimin terrorist dhe me të drejtë ai i cilësoi luftëtarë të fjalës së lirë, se kështu janë. Gjithashtu, e përshëndes dhe i kërkoj në emër të mijëra të përndjekurve që përfaqësoj, që të nderojë këta luftëtarë, dhe pse është shumë vonë dhe demokracia shqiptare nuk mund të jetë e qetë pa emrin dhe veprën e tyre. Handikapi i demokracisë shqiptare është se luftëtarët e fjalës së lirë, që u pushkatuan për liri e demokraci, sot janë pa varr. Ata duhet të nderohen nga shoqëria, politika dhe media, si luftëtarë që me qëndresën e tyre i sollën këtij kombi demokracinë e shumëpritur, ata nuk u vranë që vrasësit të gëzojnë pensione të majme, që vrasësit t`i quajnë akoma dhe pas 20 vitesh me epitete komuniste: “tradhtarë e bashkëpunëtorë të regjimeve përbuzëse të terrorit komunist”. Ata e kërkojnë faljen, që kriminelët që i vranë të mos jenë në gjendje t`i marrin frymën demokracisë, ata e kërkojnë faljen që shoqëria të mos jetë konfliktuale, e përçarë dhe e ndarë. Për liri ata u sakrifikuan, dhe jo vrasësit e tyre të pushtojnë shtetin dhe ta përdorin për pasurim dhe privilegje. Harresa ndaj krimit është e pafalshme për shoqëritë demokratike. Dënimi i krimit komunist duhet të jetë përparësia e të gjitha vendimeve kombëtare në shërbim të shoqërisë, se kështu ne ndërtojmë një shoqëri të pastër dhe pa ndasi, një shoqëri që harron krimin ajo është e destinuar të dështojë në zhvillimet e saj demokratike.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010