Roçek: Hetimi i zgjedhjeve i nevojshëm
Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i shoqëruar dhe nga
deputetët, Arta Dade, njëkohësisht sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Taulant Balla e Arben Ahmetaj ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme gjatë vizitës së tij në Strasburg. Një ndër këto takime ishte dhe ai me përfaqësuesin e Partisë Socialdemokrate çeke në Parlamentin Evropian, Libor Rouçek i cili ka vlerësuar tryezën e Topit dhe ka theksuar nevojën e hetimit të zgjedhjeve. “Mendoj se kjo zgjidhje do të ishte më e mira. Unë besoj te ndërmjetësimi i Presidentit, besoj se ai mund ta bëjë dhe besoj edhe se ai ka vullnetin e duhur për të ulur liderin e opozitës dhe Kryeministrin në një tavolinë për të gjetur kështu kompromisin që i duhet vendit. Unë mendoj se nga ana tjetër është shumë e nevojshme të kryhet hetimi për këto zgjedhje, që kjo ti shërbejë jo asaj që ka kaluar por sidomos së ardhmes dhe që në të ardhmen mos ketë as edhe një problem me zgjedhjet, ashtu siç nga ana tjetër është e rëndësishme për opozitën që pas këtij kompromisi të futet në parlament dhe të vazhdojë rrjedhën normale opozitare. Kjo do të ishte një rezultat shumë i mirë për të gjithë, veçanërisht për popullin shqiptar”, - tha ai. Lidhur me hapjen ose jo të kutive, Rouçek ka pohuar se “nuk më takon mua tu them politikanëve shqiptarë se çfarë duhet të bëjnë. Ndoshta hapja e një pjese të kutive, në zona të ndryshme, pra hapja e disa kutive në çdo zonë edhe kjo mund të ishte një zgjidhje”. Ndërsa kryesocialisti Rama ka shpjeguar se gjatë takimeve me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë ka theksuar domosdoshmërinë e transparencës së plotë mbi procesin e shkuar zgjedhor për të mos lejuar më që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë i ngjashëm me të shkuarin për ti dhënë fund korrupsionit elektoral. “Transparenca e plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, materialeve zgjedhore, për të bërë të mundur që populli shqiptar të shikojë dritën e diellit, çfarë ka ndodhur para, gjatë dhe pas 28 qershorit dhe njëkohësisht për të krijuar kushtet që administrata zgjedhore në të ardhmen të garantojë vullnetin e popullit dhe çdo komisioner të mos jetë thjesht komisioneri i forcës që përfaqëson por qytetari që përgjigjet para ligjit për respektimin e tij në procesin më të rëndësishëm të demokracisë, siç është ai i zgjedhjeve”, - tha Rama.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010