Ministria e Drejtësisë përfundon pyetësorin e BE-së
Autori i Lajmit: RedaksiaNë Ministrinë e Drejtësisë ka përfunduar përgjigjja e pyetësorit për kriteret politike, sipas kritereve të Kopenhagenit dhe për kapitullin mbi Gjyqësorin. Këtu, procesi u bashkërendua nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Florian Nuri. “Në total kanë qenë 264 pyetje të ndara respektivisht 120 pyetje kriteri politik dhe 144 pyetje kapitulli 23, Gjyqësori dhe të drejtat e njeriut. Në tërësi janë rreth 120 zyrtarë, të cilët kanë mbuluar hartimin e përgjigjeve, rishikimin e tyre dhe fazën e tretë që ishte faza e miratimit final për çdo përgjigje”, pohon Nuri. Për 264 pyetje u dhanë rreth 560 përgjigje. Të 120 zyrtarët e angazhuar ishin jo vetëm nga Ministria e Drejtësisë, por nga rreth 30 institucione, mes të cilave Avokati i Popullit, Prokuroria dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që ndan të njëjtën godinë me ministrinë. Përgjigjet e specialistëve verifikoheshin prej eprorëve të tyre, që i rikthenin për plotësim. Përgjigjet e korrigjuara shiheshin nga grupi ndërinstitucional. “Me një fjali të vetëm do ta quaja një ushtrim shumë të vlefshëm për administratën publike. Së pari na shërbeu për të pasur një inventar më qartë se si është situata dhe se si është rrjedhja e informacionit brenda për brenda institucionit, por edhe në bashkëpunim dhe bashkëveprim me institucionet e tjera, dhe së dyti për të pasur një vështrim më strategjik të sfidave të së ardhmes”, shton sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë. Procesi u ndoq nga afër nga vetë Ministri, i cili, mendon se Shqipëria e ka kuadrin ligjor për të arritur shpejt standardet evropiane. “Tashmë legjislacioni që ne kemi është i mirë, i mjaftueshëm, i përafruar me acquis communautaire. Institucionet dhe mekanizmat tashmë ekzistojnë. Sfidë mbetet tërësia e implementimit në standardet që kërkohen për një vend që një ditë do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian”, nënvizon Nishani. Pyetësori me 2284 pyetje u dorëzua zyrtarisht me 16 dhjetor dhe qeveria u zotua ti përgjigjet për tre muaj.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010