Pi fostoksinë nga xhelozia,vdes në spital 18-vjeçarja
• Dyshimet për tradhti nga i dashuri i saj dyshohet se kanë qenë shkaku i vetëhelmimit të një vajze 18 vjeçe nga Kavaja. Burimet zyrtare nga policia, thanë dje se rreth orës 19:10 të 20 marsit, 18-vjeçarja M.Beu, banuese në fshatin Bogo në Kavajë, ka konsumuar fostoksinë duke gjetur vdekjen. Viktima sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit gjeti vdekjen pasi mbërriti në Spitalin Ushtarak. Një lajmërim i mbërritur në Sallën Operative nga ky institucion ka vënë në lëvizje edhe strukturat e policisë. Hetuesit fillimisht kanë bërë verifikimin e kufomës dhe më pas janë drejtuar për në shtëpinë e viktimës. Ndërkaq mjekët ligjorë në Tiranë kishin filluar procesin e autopsisë lidhur me shkaqet e vdekjes së vajzës 18-vjeçare. Ata kanë konfirmuar se shkak i vdekjes ka qenë konsumimi i një sasie të konsiderueshme fostoksine nga viktima M. Beu. Një përfundim i tillë i është konfirmuar edhe strukturave të policisë që po merreshin me hetimin e ngjarjes. Pas kësaj, grupi hetimor e klasifikoi ngjarjen si vetëvrasje dhe vijoi hetimet e mëtejshme. “Pas marrjes së deklarimeve nga familjarët e vajzës dhe personelit mjekësor, dyshohet se shkak i vdekjes së viktimës të jetë konsumi i lëndës helmuese fostoksinë”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës e cila ka në juridiksionin e saj vendin ku ndodhi ngjarja. Sipas policisë, viktima ishte dërguar menjëherë nga banesa e saj në Kavajë në Spitalin Ushtarak, por kishte gjetur vdekjen rreth orës 23:00 të datës 20 mars 2008. Duke iu referuar kryesisht deklarimeve të dhëna nga familjarët e viktimës, por edhe informacioneve të marra në rrugë të tjera, policia e Tiranës deklaroi dje se shkak i ngjarjes ka qenë xhelozia e vajzës. Ajo dyshonte se partneri i saj e tradhtonte dhe prej këtij shqetësimi viktima mësohet se vuante prej disa muajve. Acarimi i marrëdhënieve me partnerin dhe dyshimet për tradhti dyshohet se kanë shtyrë vajzën drejt vetëflijimit. Hetuesit thanë se sasia e helmit që ka konsumuar vajza nuk i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme asaj. Sipas hetuesve dyshohet se vajza nuk ka qenë e informuar mirë për rrezikun që paraqet konsumimi i lëndës fostoksinë i klasifikuar si helmues vdekjeprurës.