E Shtunë, 31 Tetor 2026

Estoni, rihapet rruga e akullt Hiiumaa

ESTONI- Për shkak të të ftohit të skajshëm, rutina e përditshme e banorëve të ishujve të Estonisë ka ndryshuar pozitivisht. Rrugët e akullta që përshkojnë Detin Balltik duke lidhur truallin kryesor estonez me ishujt Hiiumaa, Saaremaa e një sërë ishujsh të tjerë u hapën zyrtarisht për herë të parë këtë dimër që nga viti 2006. Rruga e akullt e Hiiumaa është 26.5 kilometra e gjatë, duke qenë një ndër rrugët e akullta më të gjata në Europë. Trashësia e akullit në këtë rrugë është ndërmjet 30 deri 50 centimetra, ndërkohë që thellësia e detit nën të arrin në 12 metra. Për lëvizjen në të duhet të ndiqen disa rregulla të caktuara: rruga ësht e hapur nga ora 08:00 deri në orën 17:30 sipas orës lokale, për të qenë në përputhje me orët e ditës, shpejtësia maksimale e lejuar është 70 kilometra në orë, makinat nuk duhet të ndalojnë në mes të rrugës, nuk duhet vënë rripi i sigurimit si dhe duhet ruajtur një distancë e caktuar ndërmjet mjeteve. Të paktën njëri nga ata që ndodhen në makinë duhet të ketë një telefon celular. Pika kontrolli janë ngritur në të skajet e rrugës. Personeli që shërben në to mban shënim targat e makinave si dhe numrin e pasagjerëve në secilën prej tyre.
Rruga e akullt pastrohet rregullisht ndërkohë që edhe ndryshohet herë pas here për të shmangur vendet ku akulli ka nisur të kriset. Gjatë stuhive të dëborës shikueshmëria është më e vogël ndaj degë pemësh, të ngulura në dëborë, përdoren si pika orientimi. "Pasja e një rruge akulli është gjithnjë e rrezikshme. Për shkak se akulli është një strukturë natyrale e cila ndryshon vazhdimisht. Ne varemi nga moti, dëbora, rrethanat dhe luhatjet e nivelit të detit. Nëse niveli i detit nis të ngrihet e akulli fillon të kriset atëherë duhen ngritur ura provizore për të mundësuar qarkullimin e mjeteve. Ne jemi gjithnjë gati për ndryshime në rast nevoje" tha Hannes Vaidla, drejtor i përgjithshëm i Administratës së Rrugëve. 'Në fakt janë vetë drejtuesit e mjeteve ata që përbëjnë rrezikun më të madh nëse nuk mbajnë distancën e duhur. Ky është rregulli i parë në akull, ruajtja e distancës, për të mos krijuar një peshë më të madhe nga sa duhet në akull" shtoi ai.
Drejtuesit e mjeteve që lëvizin nëpër rrugën e akullt thonë se mendimi që po kalojnë Detin Balltik me makinë është vërtet emocionues. Ata ngulin këmbë në faktin që kjo gjë nuk përbën asnjë rrezik nëse ndiqen rregullat. Rreth 600 makina përdorin çdo ditë këtë rrugë që lidh truallin kryesor të Estonisë me ishullin Hiiumaa. '' Unë përdor goma dimri ndaj jam plotësisht i sigurt në rrugë. Duhet të ecësh me të njëjtën shpejtësi, kjo është e gjitha. Sigurisht, duhet të kesh parasysh gjendjen e rrugës e të ecës ngadalë nëse është e nevojshme. Po nuk është e rrezikshme" tha shoferi Sulev Nuutmann. Megjithatë disa shoferë e përdorin rrugën e akullt për të përjetuar një përvojë ekstreme. Në një rast policia ndaloi një makinë e cila lëvizte me shpejtësi 190 kilometra në orë në rrugën e akullt.
Megjithatë banorët e ishujve të Estonisë ndjehen të ngazëllyer nga ekzistenca e rrugës së akullt. Trageti që lidh ishujt lëviz vetëm në mëngjes e në mbrëmje, është i ngadaltë e i kushtueshëm. Rruga e akullt jep më shumë mundësi për të qenë i lirë. 'është diçka pozitive pasi na jep mundësi të lëvizim më shpejt. Nëse me traget na duhet një orë e gjysmë për të arritur përmes rrugës prej akulli arrijmë në gjysmë ore" tha shoferi Urmas Sarna.
Valdo Leivat, pronari i një dyqani suvenirësh në Hiiumaa është gjithashtu i gëzuar nga hapja e rrugës së re. Falë saj numri i turistëve në ishull është shtuar, edhe pse kjo njihet si ‘periudha e zbrazët’. Leivat foli me krenari për këtë rrugë. ''Kjo rrugë prej akulli është më e gjata në Europë. Shumëkush nuk e beson se mund të kalohet me makinë mbi detin e ngrirë. Ishin të shumtë ata që erdhën për ta parë rrugën e akullt në ditën e inaugurimit. Shumica ishin italianë të cilët erdhën me makinat e tyre për ta vënë në provë atë'' tha ai.
Jetëgjatësia e kësaj rruge varet nga kushtet e motit. Nëse dimri zgjat ajo mund të qëndrojë e hapur deri në fund të Marsit pasi më vonë afrimi i pranverës e bën të rrezikshëm kalimin në të me makinë.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›