E Shtunë, 31 Tetor 2026

Estonia mbështet integrimin e Kosovës në BE dhe NATO

Në kuadër të vizitës zyrtare në Estoni, kryeministri Hashim Thaçi, është pritur të martën nga homologu i tij, Andrus Ansip, ndërsa temë kryesore e takimit ishin zhvillimet aktuale politike në Kosovë, rruga e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, si dhe thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Estonisë në shumë fusha.
Gjatë takimit, kryeministri Thaçi tha se qeveria e tij është thellësisht e përkushtuar për fuqizimin e qeverisjes së mirë, efektive dhe transparente, sundimin e rendit dhe ligjit, respektimin afirmativ të komuniteteve, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nga ana e tij, kryeministri Ansip i siguroi kryeministrit Thaçi përkrahjen e qeverisë së Estonisë për qeverinë e Kosovës në fushën e integrimit evropian, si dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Ansip tha se ai dhe qeveria që drejton mbështesin fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke potencuar se Republika e Kosovës është pjesë e familjes evropiane.
Ndërkohë, kryeministri Thaçi, gjatë të martës ka zhvilluar takime edhe me presidentin e Estonisë, Toomas Hendrik Ilves dhe me kryetaren e Parlamentit, Ene Ergma.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›