SHBA: Izraeli po kërcënon paqen në Lindjen e Mesme
Po bëhen gjithmonë e më të ashpra kritikat e Uashingtonit për sa i përket vendimit të autoriteteve izraelite për ndërtimin e rreth 1600 shtëpive në Jerusalemin Lindor. Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar vendimin izraelit një sfidë dhe një ofendim ndaj komunitetit ndërkombëtar. Pas kritikave të Hillary Clinton mbërrijnë ato të David Axelrod, një nga këshilltarët më të ngushtë të Presidentit Obama. “Vendimi për banesat e reja hebraike në Jerusalemin Lindor në kohën që zëvendëspresidenti Joe Biden ishte në Izrael, përfaqëson një sfidë dhe një ofendim dhe e bën dhe më të vështirë procesin e paqes në Lindjen e Mesme”, tha Axelrod. Në një intervistë për rrjetin ABC, ai u shpreh i bindur se lajmërimi është llogaritur për të dobësuar negociatat indirekte të nisura nga emisari amerikan George Mitchell. “Izraeli është një aleat i fortë dhe i veçantë me të cilin kemi lidhje të ngushta. Mbi këtë arsyetim mendoj se nuk ka qenë një sjellje korrekte. është thelbësore për sigurinë tonë të ecim përpara dhe të zgjidhim këtë çështje”. Të shtunën, Clinton kishte përdorur fjalë të ngjashme: “është një ofendim. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe izraelit janë të qëndrueshme, të forta dhe bazohen mbi vlera të përbashkëta, por është e nevojshme ta bëjmë të qartë për miqtë dhe aleatët tanë, se zgjidhja e dy shteteve kërkon veprime që bazohen te shpirti i besimit mes dy vendeve”. Ndërkaq Kryeministri Netanjahu e cilësoi këtë si një incident të pakëndshëm që nuk duhet të ndodhte e që rezultoi si një ofendim për komunitetin ndërkombëtar. Ai tha se qeveria e tij po bën gjithçka që incidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. “Izraeli dhe SHBA kanë interesa të njëjta. Nuk është rasti t’i ekzagjerojmë, por ta përballoj çështjen me gjakftohtësi”, tha Netanjahu, i cili akuzoi edhe shtypin për gjuhën e përdorur.
#