Kina: SHBA duhet të rregullojë marrëdhëniet me ne
I takon SHBA-së të rivendosë marrëdhëniet me Kinën, që po kalojnë një krizë të thellë që nga fundi i vitit të kaluar. Ky është mendimi i Kryeministrit kinez Wen Jiabao, sipas të cilit SHBA-të që pritën në Uashington Dalai Lama-n dhe i shitën armë Tajvanit, mbajnë përgjegjësinë kryesore për prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri u shpreh i shqetësuar edhe për paqëndrueshmërinë e dollarit, i cili përbën një pjesë të madhe të rezervave valutore kineze. Raporti mes dy vendeve, nënvizoi
Wen Jiabao, “e ka kaluar dimensionin bilateral” dhe historia ekonomike e 30 viteve të fundit ka treguar se marrëdhëniet e mira mes SHBA-së dhe Kinës janë thelbësore jo vetëm për të dyja vendet, por për të gjithë pjesën tjetër të botës. Për sa i përket politikës valutore, Kryeministri shpjegoi se Kina nuk ka ndërmend ta ndryshojë kursin e këmbimit të valutës së saj, juanit, që në rrjedhën e muajve të fundit “nuk është zhvlerësuar”. Wen Jiabao, në një konferencë shtypi me gazetarët e huaj, deklaroi se monedha kineze juan do vazhdojë t’i bëjë ballë presionit të amerikanëve dhe europianëve. “Për sa i përket problemeve të tregtisë ndërkombëtare, ne kemi qenë gjithmonë kundër praktikës për ta drejtuar gishtin kundër të tjerëve. Këto probleme mund të zgjidhen vetëm me dialog”, tha Kryeministri kinez. Jiabao gjithashtu theksoi se Kina do të vazhdojë të ndjekë politikën e saj të re ekonomike, të vënë në zbatim në fund të vitit 2008, për të përballuar krizën financiare. “Duhet të sigurojmë stabilitet dhe vazhdimësi të linjës sonë, kështu që do vazhdojmë të ecim përpara me politikën tonë të bilancit dhe me një politikë të butë monetare për të konsoliduar kalimin përfundimtar të krizës ekonomike globale”. Në 2009-n, pavarësisht krizës botërore, Kina regjistroi një rritje prej 8,7%, falë disa masave të ndërmarra në fund të 2008-s me një plan 400 miliardë dollarësh për dy vjet.
Më tej, ai akuzoi SHBA-në për çështjet që lidhen me Tajvanin dhe Tibetin. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhunuar sovranitetin territorial të Kinës, duke i shitur armë Tajvanit. Një gjë të tillë e kanë bërë edhe pas takimit të Presidentit Barack Obama me Dalai Lama-n”, theksoi Jiabao. Sa i takon rastit “Google”, kreu i qeverisë së Pekinit nënvizoi se sipërmarrjet e huaja janë gjithmonë të mirëpritura në Kinë, por me kushtin që të respektojnë ligjin. Wen Jiabao nuk përmendi asgjë për “Google” që ka kërcënuar se do të mbyllë sajtin e tij të internetit në gjuhën kineze për shkak të censurës. Po ashtu, ai nuk foli as për kompaninë australiane “Rio Tinto”, pesë drejtues të së cilës gjenden në burg në Kinë në pritje të procesit. “Nëse ka munguar diçka në këto vite, kjo ka të bëjë me faktin se kam qenë shumë pak në kontakt me sipërmarrësit e huaj. Por në tre vitet e ardhshme do të angazhohem më shumë në këtë fushë”, përfundoi ai. Përplasja e fundit mes dy vendeve ka ndodhur dy ditë më parë lidhur me raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, që e kritikonte ashpër Kinën për gjendjen e të drejtave të njeriut. Agjencia zyrtare e lajmeve, “Hsinhua”, që citonte qeverinë kineze, tha se “ashtu si vitet e shkuara, raportet amerikane janë të mbushura me akuza për situatën e të drejtave të njeriut, në më shumë se 190 vende dhe rajone, përfshirë edhe Kinën. Por ajo asnjëherë nuk sheh situatën në vendin e saj”.
#