E Shtunë, 31 Tetor 2026

Estonia mbështet plotësisht aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO

Ministri i Mbrojtjes së Estonisë: Shqipëria ka bërë një progres mbresëlënës në reforma

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me ministrin e Mbrojtjes së Estonisë, zotin Jaak Aaviksoo.

Kryeministri Berisha dhe Ministri i Mbrojtjes estonez vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, si dhe mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në të ardhmen.

Integrimi në NATO, u shpreh kryeministri mbetet një nga prioritetet më madhore të qeverisë shqiptare. Për arritjen e tij, theksoi Kryeministri, ne jemi të fokusuar dhe të angazhuar në të gjitha aspektet , për të bërë  çdo përpjekje, për të ndërrmarrë çdo reformë, në mënyrë që të arrijmë standardet e NATO-s.

Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha falënderoi Ministrin e Mbrojtjes Aaviksoo për mbështetjen e dhënë nga Estonia në përpjekjet e Shqipërisë drejt integrimit.

Më pas, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme. Kryeministri e njohu zotin Aavikso me ritmet e zhvillimit ekonomik të vendit, të cilat  janë rritur ndjeshëm si rezultat e kompletimit të reformës në këtë drejtim. Gjithashtu kryeministri u ndal edhe në një sërë reformash të tjera si ajo në drejtësi, reforma zgjedhore, etj. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në reformën në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se ndër të tjera reforma synon krijimin e një ushtrie të vogël në numër, por profesioniste dhe të pajisur sipas të gjitha standardeve bashkohore.  Trupat ushtarake shqiptare, u shpreh kryeministri, rradhiten me dinjitet përkrah trupave të NATO-s në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Bosnje, Irak, etj.

Gjithashtu, Kryeministri shprehu vendosmerine e qeverisë shqiptare për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar, trafiqet dhe korrupsionin.

Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu zotin Aaviksoo me mundësitë e panumërta për të investuar në Shqipëri si dhe masat e ndërmarra nga qeveria në ndihmë të biznesit, të cilat synojnë shndërrimin e vendit në një vend tërheqës për investitorët e huaj.

Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes së Estonisë u shpreh i impresionuar për zhvillimet dinamike në vend dhe rezultatet pozitive të reformave.

Zoti Aaviksoo theksoi se Estonia përkrah dhe mbështet plotësisht aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Në këtë kontekst, Ministri i Mbrojtjes estonez u shpreh se reformat e ndërmarra nga qeveria në fushën ekonomike, të mbrojtjes, etj, si dhe rezultatet  e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, do të ndihmojnë Shqipërinë në përmbushjen  e aspiratave të  saj për integrim.

Kryeministri Berisha dhe zoti Aaviksoo diskutuan më pas për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke u ndalur në mënyrë specifike në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, si dhe në fushën e teknologjisë së informacionit.Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Aaviksoo për ndihmesën që Estonia ka ofruar  për trajnimin  e ushtarakëve shqiptarë, për të cilën Ministri i Mbrojtjes Aviksoo shprehu gadishmërinë se do të vazhdojë në të ardhmen.

Duke u ndalur në çështjen e statusit të Kosovës, Ministri I Mbrojtjes së Estonisë u shpreh ne mbeshtetje te planit Ahtisari, duke vleresuar se nje zgjidhje e shpejte e statusit është në interes të garantimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Në përfundim Zoti Aaviksoo i paraqiti Kryeministrit Berisha ftesën e kryeministrit estonez për të vizituar Estoninë, ftesë e cila u prit me shumë kënaqësi nga kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›