E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëvendëspresidenti i “Statkraft” i prezanton Kryeministri Berisha projekte në fushën e energjisë së rinovueshme

Një tjetër takim, që si qëllim ka pasur prezantimin e një projekt të ri për prodhimin e energjisë në Shqipëri, Kryeministri Berisha e ka kryer sot, në zyrën e tij, edhe me Zëvendëspresidentin e kompanisë “Statkraft”.

Në këtë takim, i cili ka pasuar disa vizita të tjera të kryera pak kohë më parë, Zëvendëspresidenti i “Statkraft” i ka shprehur Kryeministrit Berisha edhe një herë më shumë interesin për të investuar në Shqipëri dhe i ka prezantuar një projekt-ide për hidrocentralin e Skavicës, një projekt më shumë ky që pason vazhdën e interesit të kësaj kompanie për kaskadën e Vjosës dhe hidrocentralin e Ashtës, tenderat e së cilave do të shpallen së shpejti.

Më pas, Zëvendëspresidenti i “Statkraft” e ka njoftuar Kryeministrin Berisha për vendimin që kjo kompani ka marrë, për shtrirjen e aktivitetit të tyre në Evropë dhe Ballkan, ata kanë zgjedhur Shqipërinë, si një vend me burime të konsiderueshme energjie të rinovueshme uji dhe ere dhe si një vend tashmë të pregatitur për të pritur investitorë të huaj kaq të mëdhenj, si “Statkraft” që konsiderohet si kompania e dytë në Evropë.

Zëvendëspresidenti i ka bërë gjithashtu me dije Kryeministrit Berisha se projekti i tyre për Skavicën mbështetet në standarde ndërkombëtare të vendosura nga Shoqata Ndërkombëtare e shfrytëzimit të ujerave.

Kryeministri Berisha e ka falënderuar përfaqësuesin e “Statkraft” për vendimin që kjo kompani ka marrë dhe e ka garantuar se qeveria shqiptare do t’u ofrojë të gjithë mbështetjen infrastrukturore për të mundësuar kështu suksesin e biznesit të tyre. Kryeministri ka konsideruar të rëndësishëm faktin se konkurrenca për ndërtimin e veprave hidrike në Shqipëri ka përfshirë kompani të standardit ndërkombëtar siç është dhe “Statkraft” dhe të tjera kompani që janë tashmë në fillim të garës.

Në fund të takimit, Kryeministri Berisha e ka përgëzuar Zëvendëspresidentin e “Statkraft” për interesin e tyre, për të marrë pjesë në garat që do të hapen së shpejti për kaskadën e Vjosës dhe Ashtës. Kryeministri i ka sugjeruar, nëpërmjet Zëvendëspresidentit, zyrës së sapo hapur në Tiranë të “Statkraft” të konsiderojë dhe projekte të tjera në fushën e energjisë së rinovueshme, jo vetëm të ujit, por edhe të erës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›