E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi Rocen diskutojnë mbi projekte të përbashkëta, në dobi të prosperitetit të të dy vendeve

Kryeministri Berisha priti sot në takim ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, zotin Milan Rocen. Të dyja palët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi në shumë  fusha me interes të përbashkët për të dy vendet dhe të gjithë rajonin. Ata shprehën të njëjtin vullnet për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kryeministri Berisha i shprehu ministrit Rocen bindjen e tij se pavarësia e Malit të Zi ishte një ngjarje e madhe jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë rajonin dhe se ai e kishte mbështetur fort atë.

Duke i shprehur falënderimet dhe mirënjohjen për mikpritjen e refugjatëve kosovarë gjatë luftës në Kosovë, Kryeministri u shpreh qeveria dhe populli i Malit të Zi bënë maksimumin e mundshëm në një situatë nga më të vështirat. Nga ana e tij, ministri Rocen theksoi se mikpritja e 100 mijë refugjatëve të Kosovës nga Mali i Zi si dhe bashkëpunimi dypalësh në shumë fusha ka krijuar një bazë shumë të fortë për një ardhmëri të përbashkët zhvillimi dhe integrimi në BE dhe NATO.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, zoti Rocen shprehu falënderimet për përkrahjen e vazhdueshme të qeverisë shqiptare, duke nënvizuar se e interpreton atë si respekt ndaj Malit të Zi, qeverisë dhe popullit malazez. Ai falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe inkurajimin që Shqipëria i dha menjëherë procesit të pavarësisë së Malit të Zi, njohjen e menjëhershme nga Shqipëria të shtetit malazez dhe vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria ka dhënë ndaj të gjithë forcave demokratike në Malin e Zi para dhe pas pavarësisë.

Historia njeh pak kombe që kanë treguar respekt të tillë në shekuj si Mali i Zi dhe Shqipëria dhe kjo reflektohet edhe në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, u shpreh ministri Rocen.

Kryeministri Berisha e falënderoi ministrin e jashtëm malazez edhe për bashkëpunimin e frytshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe u shpreh se të dyja vendet duhet të ndërmarrin çdo marrëveshje për ta thelluar këtë luftë. Ne jemi dy vendeve të vogla ndaj duhet të jemi sa më eficentë kundër krimit të organizuar, tha Kryeministri Berisha.

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, Kryeministri Berisha dhe ministri Rocen evidentuan se të dy vendet kanë potenciale të mëdha bashkëpunimi në fushën ekonomike, politike dhe atë të sigurisë. Kryeministri Berisha dhe ministri Rocen u ndalën veçanërisht në bashkëpunimin në fushën e turizmit, ku të dy vendet ofrojnë potenciale të mëdha për prosperitet në të dy anët e kufirit. Në funksion të kësaj, ata theksuan rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës midis dy vendeve sidomos me zhvillimin e projekteve për rrugën Shkodër-Podgoricë, Velipojë-Murriqan-Ulqin, si dhe mbi sistemin e intekonjeksionit Tiranë-Elbasan-Podgoricë, si dhe të shumë projekteve të tjera që janë në zbatim apo që do të realizohen në të ardhmen. Ata vlerësuan se Shkodra, Ulqini, Podgorica dhe Budva duhet konsideruar si një rajon i Bashkimit Europian. Kryeministri dhe ministri Rocen u ndalën edhe në projektet mbi liqenin e Shkodrën, projekte me interes të përbashkët. Ata theksuan se liqeni i Shkodrës është një epiqendër e turizmit rajonal dhe si e tillë duhet valorizuar.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se zhvillimi i këtyre projekteve do të bëjë që dy kombet tona të shijojnë bukuritë e tyre natyrore, në dobi të prosperitetit të tyre. Duke konstatuar me kënaqësi rritjen e fluksit turistik në të dy anët e kufirit, ata u theksuan se zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës do të ndihmojë në rritjen e këtij fluksi në të ardhmen. E rëndësishme, theksuan të dyja palët, është se këto projekte janë duke u zhvilluar në harmoni me impaktin ekologjik të tyre.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kryeministri Berisha u shpreh se zgjidhja e statusit të Kosovës dhe plani Ahtisari shkojnë në dobi të paqes dhe stabilitetit të të gjithë rajonit.

Ministri Rocen vlerësoi rolin konstruktiv të qeverisë shqiptare në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ai u shpreh se Mali i Zi po e ndjek me shumë kujdes procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe është i interesuar që të ketë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe sa më të mirë në dobi të stabilitetit të të gjithë rajonit dhe të vetë Malit të Zi.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha shprehu interesimin e tij për gjendjen e shqiptarëve në Malin e Zi dhe ministri i Jashtëm Rocen i bëri me dije Kryeministrit Berisha se Mali i Zi respekton me Kushtetutë gjuhën, zakonet dhe kulturën e pakicave në vend.

Ministri Rocen i përcolli Kryeministrit Berisha ftesën e Kryeministrit malazez Gjukanoviç për një vizitë në Malin e Zi. Zoti Rocen përcolli gjithashtu edhe dëshirën e Kryeministrit Gjukanoviç për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë. Kryeministri Berisha e pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Malin e Zi, si dhe u shpreh se do ta mirëpriste Kryeministrin Gjukanoviç në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›