Estonia vlen më pak se Lorik Cana
Jo më kot kombëtarja estoneze është 6 pozicione më poshtë se Shqipëria e Josip Kuzhesë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Njëzet futbollistët e grumbulluar nga trajneri Tarmo Rutli për miqësoren e sotme nuk vlejnë as sa një futbollist kuqezi si Lorik Cana. Gjithë kombëtarja estoneze vlen vetëm 7 milionë e 650 mijë euro, ku më i kushtueshmi është mbrojtësi i AZ Alkamrit në kampionatin holandez të futbollit, Ragnar Klavan (1.5 milionë euro). Ndërsa kuqezinjtë vlejnë 4 herë më shumë se modestët estonezë. Kjo tregon në një farë mënyre diferencën që ekziston të paktën në planin e vlerësimeve nga ana e specialistëve të futbollit për këto dy skuadra. Duke iu referuar sajtit të transfermakt i cili merret ekskluzivisht me vlerësimet e futbollistëve në gjithë botën, “Panorama Sport” publikon shifrat reale të kombëtares estoneze dhe asaj shqiptare të cilat do të ndeshen sot në Talin në orën 14:30 (ora lokale).