Preç Zogaj:Dëshmia ime për 18 vitet e tranzicionit
alma mile
Aty janë shtrëngime duarsh, prapaskena politike, ngjarje të njohura dhe të panjohura. Si një pjesëmarrës aktiv në jetën politike të vendit gjatë dy dekadave, por njëkohësisht dhe njeri i letrave, Preç Zogaj e ka ndierë gjithnjë së brendshmi detyrimin për të treguar atë që ka parë dhe dëgjuar. “Intuicionet e tranzicionit”, titullohet përmbledhja e me esse të shkrimtarit Preç Zogaj, e cila u prezantua dje në Panairin e Librit, si një botim i “UET Press”. Dje në mesditë, shkrimtari i pranishëm në stendën e shtëpisë botuese të Universitetit Europian të Tiranës nënshkroi veprën e tij për lexuesin, si dhe informoi për këtë përmbledhje eseistike. “Është një botim i ideuar nga miku dhe kolegu, Henri Çili, një përmbledhje e librave të mi me esse politike. Jam një autor që kam shkruar rregullisht për të gjitha ngjarjet e rëndësishme që kanë shënuar periudhën 18-vjeçare të tranzicionit shqiptar dhe UET ka vendosur t’i përmbledhë në dy vëllime”, - thotë Zogaj. Në vëllimin e parë, të titulluar “Intuicionet e tranzicionit” janë përfshirë 4 libra të autorit “Rënia e zgjedhjeve”, “Vera e përjetshme”, “Uncivil war - Lufta jocivile” dhe “paradhoma e një presidenti”. Në vëllimin e dytë, që pritet të dalë së shpejti do të përfshihen veprat “Nga hiri”, “Finalja” dhe një libër i tretë që e autori e ka përfunduar këto ditë si dorëshkrim dhe po përgatitet për botim. “Është në vazhdën e kolanës dhe pasqyron momentet më kulmore të jetës politike, institucionale dhe shoqërore në Shqipëri, nga viti 2005-2009. Duke qenë pjesëmarrës dhe dëshmitar i ngjarjeve e kam ndjerë gjithnjë si detyrim të shkruaj atë që ndodh. Kudo në botë është e përhapur një letërsi e tillë që pasqyron zhvillimet politike në proces. Nuk janë libra historikë, por dëshmi, kallëzime, esse”, - thotë autori. Libra si “Intuicionet e tranzicionit” shoqërohen gjithnjë me reagime, edhe pse siç thotë Zogaj, ai përpiqet t’i trajtojë ata nga një këndvështrim, apo nga një lartësi e caktuar, që është pozicioni i shkrimtarit. “Përpiqem të distancohem nga raporti emocional i ngjarjeve, të jem sa më objektiv e të shkruaj si një gazetar gjakftohtë, që përdor mjetet letrare. Këto janë ngjarje reale të shkruara e një stil letrar. Janë ngjarje të njohura dhe të panjohura”, vazhdon ai, ndërsa shton duke qeshur se çuditërisht këta libra, janë më të suksesshmit nga ana komerciale. Libri “Intuicionet e tranzicionet” është i pari i një kolane që “UET Press” ka nisur të botojë.