E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e të vetëvarurit: Klodianin e dhunoi policia!

 

DURRES/ OERD ULQINI

Familjarët e 27-vjeçarit të vetëvarur brenda ambienteve të paraburgimit të Durrësit akuzojnë policinë për ushtrim dhune. Sipas tyre, policia është shkaktare e vetëflijimit të Klodian Bushit, babait të një fëmije. "Për shkak të dhunës policore, që u ushtrua sistematikisht mbi të, Klodiani humbi jetën", thanë dje të afërmit. Kjo tragjedi ka goditur rëndë familjen Bushi, e cila banon në lagjen numër 2 të Durrësit. Nga ana tjetër policia hedh poshtë me forcë pretendimet për dhunë ndaj personit të shoqëruar, duke i cilësuar ato si trillime. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit, thanë se: "Nuk është ushtruar asnjë lloj dhune qoftë fizike, apo psikologjike mbi këtë person". Ndërkohë akt-ekspertimi mjeko-ligjor mbi trupin e pajetë të Klodian Bushit ka vërtetuar se ai nuk ka në asnjë pjesë të trupit shenja dhune. "E vetmja shenjë që dallohet mbi viktimën është ajo e lënë nga rrobat, që i ndjeri i kishte mbështjellë rreth qafës për t'u vetëflijuar", tha njëri prej hetuesve të çështjes. Ka rezultuar një proces maratonë, gjatë të gjithë natës, ekzaminimi mjeko-ligjor mbi kufomën e 27-vjeçarit, pasi veç mjekëve të morgut të Durrësit në autopsi morën pjesë edhe specialistë nga Tirana. Përgjigjja përfundimtare mjeko-ligjore, e cila i hapi rrugë edhe varrimit të viktimës ka ardhur në orët e para të mëngjesit. Sipas policisë të gjithë mjekët dolën në konkluzionin shkencor se e vetmja shenjë mbi trupin e viktimës është ajo e lënë nga shtrëngimi i rrobave. Gruaja e tij është lënë e lirë për të marrë pjesë në ceremoni, por sipas policisë ajo do të ndiqet penalisht, për veprën penale të vjedhjes, në bashkëpunim, ndërsa për të shoqin dosja u mbyll. Për grupin hetimor, vetëvarja e Klodian Bushit ka qenë një tragjedi e shkaktuar nga depresioni i çastit. Sipas hetuesve, pas vjedhjes së stolive prej ari, orëve dhe celularëve në banesën e shtetases L.K., në lagjen 11 të qytetit, Bushi rrezikonte seriozisht të futej në burg për herë të gjashtë. Burimet policore saktësojnë se pesë herë të tjera ai ishte liruar nga burgu, pasi kishte shlyer dënimin e vendosur nga drejtësia. Por provat materiale të sekuestruara nga policia në vjedhjen e fundit, dukej se do ta çonin sërish në qeli 27-vjeçarin. Pikërisht në këtë moment tejet të vështirë psikologjik, kur bashkëshortja e tij GJ. Bushi po merrej në pyetje nga hetuesit kryefamiljari vendos vetëflijimin.

Dhe fëmija në polici
Veç çiftit Bushi, në komisariatin e policisë ka qenë dhe vajza e tyre e mitur. Pasi burrë e grua kishin ngritur përpara policisë pretendimin se: "Nuk kishin ku ta linin vajzën", patrulla vendos që bashkë me prindërit të vijë edhe e mitura. Pyetësorët ndaj bashkëshortëve vijuan normalisht dhe vajza ndodhej gjatë të gjithë kohës nën kujdesin e së ëmës, edhe kur në dhomën tjetër i ati vari veten. Sipas policisë, ata u shoqëruan rreth orës 18:30, duke qëndruar në dhomën e marrjes në pyetje edhe fëmija 4 vjeç, pasi sipas prindërve nuk kishin familjarë që mund t'ua mbanin vajzën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›