Mustafaj, me dy libra kujtimesh
Vjen me tre botime të reja në Panairin e 12-të të Librit “Tirana 2009” edhe shkrimtari Besnik Mutafaj. Bëhet fjalë për dy vëllime me esse dhe një përkthim. Esseja “Midis krimeve dhe mirazheve, Shqipëria”, është shkruar në periudhën maj-dhjetor 1991 dhe botuar së pari në përkthimin frëngjisht tek “Actes Sud” në mars 1992. Sipas autorit, ky është botimi i plotë për lexuesin shqiptar. Aty përfshihet edhe kapitulli “Ura mbi det”, shkruar në dhjetor 1992 - janar 1993, po ashtu përfshihet edhe kapitulli shtesë “Marramendja”, shkruar në maj 1997. “Ky libër mbart vetëm një vështrim personal dhe prej shkrimtari, në të cilin ndërthuren dëshmitë e mia imediate me kujtimet dhe refleksionet për një të shkuar të afërme dhe mbi të ardhmen, siç i dija, i ndieja dhe i përfytyroja në vitin 1991. Nuk është, pra, as libër i mirëfilltë historik dhe as nuk merr përsipër të paraqesë kronikën e plotë të ngjarjeve që ndryshuan drejtimin e historisë shqiptare në kapërcyellin e shekujve”, thotë Mustafaj në parathënien e librit. Një tjetër vepër e Mustafajt është edhe “Fletorja rezervat-Shënime jashtë valixhes diplomatike”, një libër-ditar mbajtur nga autori në vitet 1994-1995, në kohën kur shërbente si ambasador në Francë. “Ky libër mbart përmbledhtazi tharmet e qasjes sime personale ndaj Francës dhe Evropës Perëndimore në përgjithësi. Shkrimi i tij më ka dhënë veçanërisht kënaqësi, por më ka ndihmuar sinqerisht për ta vënë trurin në punë, ama më ka shërbyer edhe si një ushtrim fort i dobishëm për të mos u mësuar me censurën e zakonshme të nëpunësisë, ndaj të cilës më dukej se po nënshtrohesha pa kushte. Duke shkruar, me kohë, e kam kuptuar se si ka lindur konformizmi te shumë nga ish-disidentët e njohur, që morën përgjegjësira në shtetet e tyre postkomuniste”, shkruan Mustafaj në krye të librit. Në lëmin e përkthimit vjen me një përmbledhje me poezi të Nazim Hikmet, të titulluar “barra e shenjtë”. Sot pasdite, autori do të jetë i pranishëm në stendën e shtëpisë botuese “Toena”, për të firmosur librat e tij.
Bujar Leskaj, “Brenda dhe jashtë Parlamentit”
“Brenda dhe jashtë Parlamentit” titullohet libri i Bujar Leskaj, promovuar dje në Panairin e Librit “Tirana 2009”. Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të jetës politike, intelektualë, botues, specialistë të librit etj. Ish ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitet 2005-2007, dhe deputet i Vlorës në vitet 2005-2009, Bujar Leskaj ka sjellë në dritën e botimit, diskutimet në Kuvendin e Shqipërisë, të cilat më së shumti i janë referuar temave politike të ditës, çështjeve të rëndësishme të reformave ekonomike dhe probleme të ndryshme social- kulturore. Në libër janë botuar gjithashtu, shkrime intervista të autorit, në cilësinë e deputetit të Vlorës dhe për veprimtarinë politike, kulturore në këtë qytet dhe në Kosovë, ku zoti Leskaj ishte ideator i nismës shumë të rëndësishme “Muaji kulturor Shqipëri–Kosovë”. Ky është botimi dytë i autorit pas librit “Deputetët e Vlorës”, dalë në treg po këtë vit.