Italia shkatërron 5-0 Shqipërinë
Kombëtarja U-19 pësoi një humbje të thellë 5-0 me Italinë e kësaj moshe për eliminatoret e Kampionatit Evropian. “Axurrët” kishin në përbërje të tyre lojtarë të ekipeve të moshave të Interit, Milanit, Romës, Çelsit, Bajernit të Munihut, etj, çka nuk e patën të vështirë të “fundosin” skuadrën e Ramadan Shehut. Sulmuesi i Empolit, Dumitru, çeli në minutën e 21-të goleadën “axurre” të drejtuar në pankinë nga Piskeda. Dy minuta përpara përfundimit të pjesës së parë mesfushori D’Alesandro i Grossetos (me këtë ekip luan edhe mbrojtësi shqiptar Andi Çorri) mbylli pjesën e parë 2-0. Sulmuesi Destro i Interit trefishoi shifrat në minutën e 53-të, duke i dhënë në një formalitet takimit. Për të mbyllur llogaritë mendoi zëvendësuesi Zigoni i Milanit, që me dy gola brenda katër minutash, 79’ e 82’, vulosi shifrat 5-0. Pas Italisë përfaqësuesja jonë do të luajë ndaj Irlandës dhe San Marinos.