Josip Kuzhe: Tani do të shikoni Shqipërinë time
Leonard Karaj
Do të jetë një Shqipëri sulmuese paçka se luajmë vetëm me Salihin në repartin ofensiv. Deklarata vjen nga trajneri i Kombëtares Josip Kuzhe i cili, një ditë para ndeshjes ka pohuar se do të kërkojmë fitoren në miqësoren e sotme ndaj Estonisë. Kjo, edhe për faktin se kroati dëshiron ti nisë me këmbë të mbarë përgatitjet për kualifikimet e EURO 2012. Kuzhe sfidon edhe të ftohtin balltik, kur pohon se temperaturat e ulëta nuk e shqetësojnë aspak. Ndonëse ka grumbulluar vetëm 18 futbollistë, Kuzhe ka theksuar se kësaj skuadre do t’i shtohen edhe një pjesë e mirë e lojtarëve që janë të dëmtuar.
Estonia, mund të quhet një miqësore e zakonshme, apo ka diçka që e bën këtë ndeshje më të veçantë?
Mendoj se është fillimi i përgatitjeve për edicionin e ri. Do të kemi gati një vit kohë për t’u përgatitur dhe me këtë grumbullim mund të them se këto përgatitje kanë filluar. Ndeshja sigurisht që është një ballafaqim i rëndësishëm, si të gjitha ndeshjet që luan Kombëtarja.
Keni grumbulluar 18 futbollistë, ky është grupi me të cilin pretendoni eliminatoret e ardhshme?
Jo, kjo është një pjesë e rëndësishme e grupit. Ka edhe futbollistë të tjerë që janë të dëmtuar apo kanë probleme të tjera. Po kështu, kemi evidentuar edhe të tjerë futbollistë të rinj, që s’është çudi që të na bindin më shumë në të ardhmen. Ky është një proces pune dhe të gjithë e kanë të qartë se vetëm përkushtimi dhe sakrifica mund t’i ngjisin edhe më në renditje.
Për çfarë keni këmbëngulur më shumë gjatë këtij grumbullimi?
Për t’iu shpjeguar futbollistëve se kemi nisur një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Kam folur me ta në grup dhe individualisht dhe mendoj se e kemi kuptuar mirë njëri-tjetrin. Ne jemi një skuadër dhe do funksionojmë vetëm kur të gjithë të japim maksimumin.
Nesër (sot) në Talin, parashikohen temperatura të ulëta, si gjatë gjithë këtyre ditëve, do ta quanit të ftohtin një armik?
Normalisht po. Por sidomos në dy stërvitjet e fundit e kam parë skuadrën të motivuar. Shpesh ndodh që në raste të tilla ekipi mobilizohet më shumë. Pastaj të mos e ekzagjerojmë, nuk është kaq keq sa mund të mendohet.
Përpara do te jetë vetëm Salihi, do të thotë që s’do të pretendojmë shumë në sulm apo do të jemi të kujdesshëm?
Do luajmë me Hidin në portë, nga e djathta në të majtë Dallku, Cana, Curri, Agolli, përpara tyre Duro, mesfusha nga djathta në të majtë do jetë me Likën, Bakajn, Skelën dhe Hykën dhe sulm do të jetë Salihi. Por brenda saj ka shume lëvizje dhe zhvendosje lojtarësh sipas situatave të krijuara. Skema që do të përdorim do të jetë elastike dhe mjaft sulmuese.