E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Estradë” edhe në Kategorinë e Parë



Infektohet edhe Kategoria e Parë. Lëshime, pazare dhe rezultate që disa kohë më parë as që mund të mendoheshin. Ka lëshuar për më tepër edhe Bylisi, i cili doli jo shumë i motivuar në përballjen me Kamzën (pa i hequr asnjë presje lojë së mirë të kamzalinjëve). Skuadra e drejtuar nga Perlat Musta shënoi 4 herë në portën e Egbosë, ndërkohë që vendasit e kanë lejuar Hamzain të realizojë 2 gola në kuadratin e Osmanit. Gjithsesi ky i fundit nuk ka mundur ende të sigurojë “Këpucën e Artë” në këtë kategori përderisa disa km më larg edhe Bubeqi i Lushnjës shënonte po një dopietë ndaj Sopotit të Librazhdit. Fakt është se edhe pas kësaj jave kreu i renditjes nuk ka ndryshuar, sepse kanë fituar të gjitha pretendentët për t’u ngjitur në Superligë. Kështu, Elbasani, që mban vendin e dytë për momentin dhe ngjitet direkt në Superligë, nëse e mban këtë pozicion deri në fund, ka mundur 3-0 Luftëtarin në “Ruzhdi Bizhuta”. Në Kamëz, vendasit e vendit të tretë për momentin, me pikë të barabarta me verdheblutë, kanë mundur 4-2 Bylisin e shpallur kampion edhe matematikisht, që një javë më parë, ndërkohë që Lushnja me Partizanin, që ndajnë vendin e katërt dhe të pestë, në të njëjtën kuotë pikësh, kanë triumfuar respektivisht; lagunarët kanë mundur 5-0 Sopotin, ndërsa Partizani ka mundur 3-2 Gramshin, në shtëpinë e këtij të fundit.
Fitore të çmuara, që japin shpresë për mbijetesë, kanë arritur Turbina në Cërrik, 3-1 ndaj Adës, dhe Skrapari në Burrel, ndaj ekipit vendas, 2-1. Edhe Memeliaj ka marrë 3 pikë në javën e 28-të të kategorisë së parë, teksa ka mundur 2-1 Bilisht Sportin. Në fushën sportive të Bilishtit, Pogradeci, që nuk luan ende dot në stadiumin e vet, pasi e ka në rikonstruksion, ka mundur 2-1 Besëlidhjen. Sikurse shihet, edhe java e 28-të nuk ka zbuluar shumë gjëra, sa i takon kreut, që të dërgon në “play-out”, si mundësia e fundit për superligën, por edhe sa i takon “play-out”-it të skuadrave të fundit, që duhet t’i nënshtrohen edhe një tjetër provimi për të mbijetuar në kategorinë e parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›