Jeta në çadër, me lexim gazetash, lojë me letra dhe domino
Aristir Lumezi
Mbrëmë deputetët dhe mbështetësit e tyre grevistë mbyllën 24 orëshin e parë të ngujimit të tyre të urisë. Menjëherë pas marrjes së vendimit për të hyrë në grevë urie, deputetët socialistë dhe mbështetësit e tyre kanë shkuar nëpër shtëpia, ku janë pajisur me veshjet e përshtatshme për të kaluar aty ditë të tëra, përmes temperaturave të freskëta të netëve pranverore dhe diellit të nxehtë të mesditës. Rreth orës 24:00 të datës 30 prill, deputetët kanë hyrë në çadrën e madhe të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim. Më parë, grupi i punës që u mor me përgatitjen e çadrave dhe infrastrukturës së grevës, kishte shtruar rreth 200 krevate portativë, të kompletuar me çarçafë, jastëkë, ndërsa ishin marrë të gjitha masat që nëse gjatë natës do të bënte ftohtë, ishin sjellë dhe jorganë e mund të ndizeshin dhe sobat me gaz për ngrohje. Parapërgatitja e të gjithë infrastrukturës për një grevë urie të përmasave të tilla, tregoi natën e parë të saj se vendimi për të ishte marrë kohë më parë, kur dhe ishin porositur të gjitha objektet dhe materialet e nevojshme.
Nisja
Deputetët dhe 180 mbështetësit e tyre kanë hyrë në tendën e madhe para godinës së Kryeministrisë pak minuta pas mesnate, për të bërë në këtë mënyrë një shkëputje fizike me njerëzit e tyre të dashur të ndodhur jashtë tendës. Rojet e vendosura nga PS në të gjithë perimetrin e tendës së madhe të grevës së urisë, nuk lejonin hyrje-daljet e grevistëve, përveç të punonjësve që çonin aty koli me ujë të pijshëm. Deputetja e qarkut të Tiranës,
Enkelejda Shkreli, e cila doli vullnetare për të hyrë në grevën e urisë, është përqafuar para nisjes së grevës me bashkëshortin e saj, arkitektin e njohur Artan Shkreli, i cili e shoqëronte bashkëshorten gjatë gjithë kohës së protestës. Një përqafim i zjarrtë para hyrjes në çadër, të kujtonte nisjet e ushtarëve në misione paqeruajtëse. Sapo kanë hyrë, deputetët dhe mbështetësit e tyre, kanë zënë krevatin e tyre, ku deputetet femra kanë preferuar të jenë në pjesën fundore të tendës, pranë podiumit ku disa orë më parë, krerët opozitarë kishin kërkuar përmes fjalimeve të tyre urgjencën e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi kjo zvarritje po rëndon situatën politike dhe ekonomike të vendit. Orët e para të ngujimit kaluan me biseda mes tyre, ku mbështetësit dhe deputetët e tyre krijuan një atmosferë solidariteti dhe inkurajimi në këtë akt sakrifice që shkon deri në sublim. Rreth orës 01:30-02:00, një e nga një, grevistët kanë zënë krevatet e tyre dhe kanë rënë në gjumë, pas një dite të lodhshme, të tensionuar për vijueshmërinë e protestës, por dhe krenarë për vendimin që sapo kishin marrë.
Zgjimi
Dielli i parë i mëngjesit i gjeti zgjuar një grup deputetësh, si Fatmir Xhafaj, Eltar Dede, Taulant Balla, Gjovalin Kadeli të cilët nisën të shkëmbejnë dhe "ngacmojnë" njëri-tjetrin për natën e parë të një përvoje që rrallë u ndodh njerëzve ta përjetojnë. Më pas janë zgjuar dhe të tjerë, të cilët kanë nisur bisedat e para e më pas kanë kryer shërbimet e mëngjesit. Ata kanë veshur uniformën e përcaktuar më parë për grevën, simbolet kombëtare mbi një bluze të kuqe me shqiponjën dy krenare në mes, kapelë të kuqe dhe një shirit kuq e zi në ballë ose në krah. Ndërsa për femra, kishte bluze të zeza. Për burrat, mëngjesi nuk është dhe aq pa siklet, sepse jeta në çadër, për shumë prej tyre u kujtoi kohën e zborit, kur ata rregullonin krevatet dhe vendosnin rregull në dhomat e gjumit. Madje ata kanë komentuar në mënyrë dashamirëse për mënyrën se si disa rregulluan krevatin. Pranë çadrës së madhe, në pjesë e jashtme të saj, janë vendosur disa WC për burra dhe gra, ndërsa një depozitë e madhe u lejon atyre të mos u mungojë dhe uji për tu larë. Deputetët kanë kërkuar nga stafi mbështetës që t'u sillnin gazetat e ditës, ku të gjithë dhe për një kohë të gjatë ka lexuar pasqyrimin në median e shkruar të protestës së tyre që për ta ishte më e madhja e zhvilluar ndonjëherë. Pas leximit të gazetave grevistët kanë ndjerë dhe mbështetjen e parë të njerëzve që vinin dhe u kërkonin atyre me thirrje të rezistonin. Orët e mëvonshme u kaluan me lojëra me letra dhe domino, ndërsa ndonjëri kishte marrë me vete dhe libra për të lexuar. Gjatë gjithë ditës ata kanë konsumuar vetëm ujë, ndërsa u vizituan dy herë, paradite dhe në mbrëmje nga kryetari socialist Edi Rama, i cili qëndroi dhe bisedoi gjatë me ta. Që në nisje të grevës, pranë tyre ka qenë një autoambulancë me një ekip prej dy mjekësh dhe një infermiere, të cilët ndoqën vazhdimisht ecurinë shëndetësore të grevistëve, e cila nuk paraqiti asnjë shqetësim.
Militantët e PS djegin flamurin e NATO-s
Protesta e opozitës në sheshin para Kryeministrisë në Tiranë e pak më tutje koncerti festiv i Qeverisë, nuk kaloi tërësisht pa incidente. Disa protestues të opozitës dogjën një flamur të NATO-s. Ngjarja ndodhi pak minuta para koncertit festiv në mesditë të Qeverisë, kur shumë prej mbështetësve të Partisë Demokratike kalonin urën e madhe të Lanës për të shkuar në koncert, i cili mbahej pak më tutje në sheshin "Nënë Tereza". Mbështetësit e PD-së mbanin në duar flamurë të NATO-s dhe të PD-së, me ngjyra blu. Disa nga protestuesit e PS-së ua morën flamurët dhe shumë të tjerë tentuan tua heqin nga duart flamujt mbështetësve të Qeverisë. Flamuri blu që u dogj ishte i NATO-s, por mësohet se protestuesit e opozitës që kryen këtë akt kanë deklaruar se e ngatërruan me flamurin e Partisë Demokratike. Mësohet se këta protestues të kenë thënë se nuk kanë arritur të dallojnë mirë siglat e flamurit dhe nxituan në veprimin e tyre. Ndërkaq rruga e bulevardit kryesor ishte e mbyllur çka detyronte mbështetësit e Qeverisë të merrnin rrugë alternative për të mbërritur në sheshin "Nënë Tereza" ku mbahej koncerti festiv. Policia kishte marrë masat duke vënë një postbllok me uniforma blu ku ndante sheshet dhe kalimin mbështetësve të secilës palë. Me përfundim e koncertit, mbështetësit e Qeverisë me flamuj në duar, kaluan nga rruga e stadiumit "Qemal Stafa", ndërsa të tjerë në rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit".
Rama: Barrikadë njerëzore në gjithë vendin, greva nuk do të ndalet
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është shprehur i vendosur për të vijuar e për të përshkallëzuar protestën në të gjithë vendin. Ditën e dytë të protestës, Rama u bëri thirrje protestuesve të vijojnë të qëndrojnë në shesh ndërsa grevistëve të vazhdojnë zinxhirin e sakrificës së tyre. Ai deklaroi se protestat do të jenë një barrikadë njerëzore, e cila do të shtrihet në gjithë vendin. "Të gjithë do ta kuptojnë se greva nuk do të ndalet dhe se të gjithë ne do ta mbështesim fuqimisht grevën nga jashtë, por jemi të qetë e të gatshëm për ta vazhduar zinxhirin e sakrificës. Unë ju bëj apel të gjithë protestuesve të djeshëm, e të gjithë atyre që dje nuk mundën të jenë dje me ne, të vazhdojnë të protestojnë dhe të përshkallëzojmë të gjithë së bashku rezistencën tonë paqësore, duke e shtrirë barrikadën njerëzore në të tërë vendin", deklaroi Rama. Kreu i PS-së tha se "çdo qytet do të thirret në protestë, e çdo qytetar është i mirëpritur në çdo organizimin, të vogël apo të madh, në qytetin e tij apo në Tiranë". Ai shprehu bindjen se në bulevard do të vijnë më shumë protestues "nëse Qeveria vazhdon të bëj qorrin dhe shurdhin ndaj protestës sonë, ndaj kërkesës sonë për transparencë. Si liri dhe një e drejtë që nuk mund të falet, nuk mund të shitet, nuk mund të dorëzohet". Rama komentoi edhe koncertin festim të Qeverisë. Ai e cilësoi si shëmbëlltyrën e moralit qeverisës. Sipas tij, koncerti është vazhdimësi e së kaluarës komuniste. "Kam dhe pak fjalë për cirkun e turpshëm qeveritar, disa qindra metra mbrapa nesh. është shëmbëlltyra e moralit qeverisës, e gënjeshtrës, e cinizmit, dhe e një abuzimi të pashoq. Për një demokraci të vërtet në lirinë e njerëzve të këtij vendi. është shprehja më kuptimplotë e vazhdimësisë së një mendësie të vjetër komuniste, kolektiviste. E cila vazhdon të sundoj duke kapur shtetin dhe duke i keqpërdorur ata që punojnë për shtetin, për interesat e oborrit të pushtetit", tha Rama. Ai shtoi se Qeveria ka mbushur sheshin duke sjellë njerëz me autobusë nga rrethet nën kërcënimin e heqjes nga puna. Në fund të fjalës së tij Rama u shpreh i bindur se transparenca do të arrihet.
Rama mbledh grupin e deputetëve socialistë për qëndrimin në vijim
Grupi i PS: Protesta në të gjitha bashkitë e mëdha
Aristir Lumezi
Deputetët socialistë vendosën dje që të përshkallëzojnë protestën e tyre në të gjithë vendin. Të mbledhur dje paradite, nën drejtimin e kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi dhe kreut socialist, Edi Rama, deputetët janë njohur me skemën e organizuar nga shtabi i protestës dhe grevës për ditët në vazhdim. Por gjatë mbledhjes është hedhur propozimi që përveç në Tiranë, protesta të mbështetet edhe në qytetet kryesore të vendit, ku do të protestohet në nivel lokal për çështjet që shqetësojnë qytetarët. Ky propozim është mbështetur nga deputetët, që përveç këtij organizmi sipas një grafiku të përcaktuar qartë, do të sjellin si qarqe mbështetës dhe në Tiranë. Kështu qarqet do të kenë një mbulim të protestës së Tiranës për 24 orë. Sot do të jenë mbështetës të Durrësit, që do të bëjnë prezencën e tyre rreth 11:00 e do të qëndrojnë aty deri të hënën në të njëjtën orë. Ata do të shoqërohen e mbështeten dhe nga simpatizantë dhe socialistë të dy njësive bashkiake të kryeqytetit. Të hënën do të jetë radha e simpatizantëve nga Elbasani, që nën shoqërinë e protestuesve nga Tirana, do të jenë në mbështetje të grevistëve. Në këtë mënyrë është llogaritur një pjesëmarrje 12 ditore e mbështetësve të PS, çdo ditë nga një qark, ndërsa simpatizantët e Tiranës do të jenë më të shpeshtë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", pa përjashtuar qytetarët e thjeshtë që mbërrijnë aty në mënyrë të paorganizuar. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së grupit janë përgëzuar deputetët për organizimin e mirë që u bë në protestën e madhe dhe pjesëmarrjen e madhe në të. Një nga pikat e diskutuara në mbledhjen e djeshme ishte dhe delegacioni i PS në Bruksel, ku kishte mendime që deputetët grevistë nuk duhet të ndërpresin grevën për të shkuar në Bruksel. Sipas këtij qëndrimi, mungesa e tyre në delegacionin e Parlamentit shqiptar për shkak të grevës së urisë, është më domethënës se vetë prezenca e tyre. Pritet që vetë deputetët pjesëmarrës në grevë të vendosin për nisjen e tyre sot drejt Brukselit, ku do të përfitohet nga rasti dhe për të evidentuar përsëri domosdoshmërinë e transparencës, pas nisjes së grevës së urisë nga deputetët socialistë dhe mbështetësit e tyre. Deputeti socialist, Bashkim Fino, tha pas mbledhjes së grupit socialist se greva do të vazhdojë dhe përshkallëzohet, ndërsa pret që komuniteti ndërkombëtar të marrë një vendim sa më të shpejtë për këtë situatë. ""Mendoj që do ketë arsye, që kryeministri, qeveria, faktori ndërkombëtar të marrin një vendim sa më të shpejtë në këtë situatë. Nuk mendoj se dhe kjo do të bjerë në vesh të shurdhër, përndryshe përgjegjësia do të jetë e tyre për jetën e deputetëve, të anëtarëve të PS" tha Fino, ndërsa u shpreh i bindur se këtë herë do ta largojnë qeverinë. Sipas tij, deputetët socialistë janë në grevë për të kërkuar një të drejtë të tyre legjitime, transparencën e zgjedhjeve në Shqipëri. "Nuk besoj se policia do ndërmarrë një masë ekstreme, sepse do përplaset me protestuesit dhe e humbur do dale ajo, jo ne", tha Fino.
Braçe: PD po provokon tensione
Deputeti socialist Erion Braçe denoncoi tensionet në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", të cilat sipas tij janë shkaktuar nga militantët e Partisë Demokratike. Në një prononcim për "Top Channel", Brace ka denoncuar edhe "marrjen me dhunë" që po u bëhet punonjësve të administratës shtetërore për në mitingun festiv të Qeverisë. "Ka ende tension, grupet e militantëve të PD provokojnë njerëzit, ashtu siç po ndodh realisht në gjithë Shqipërinë", ka deklaruar Brace. Sipas tij, metodat e dhunshme të Qeverisë po shtrihen në të gjithë vendin, me qëllim provokimin e protestuesve të Partisë Socialiste.
Delegacioni i PS në Bruksel
Një grup deputetësh socialistë do ti bashkohen delegacionit të përhershëm parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, Shqipëri-BE. Në komisionin e përbashkët me BE-në, ku përveç deputetëve të PD-së janë dhe Valentina Leskaj, Sajmir Tahiri, Ditmir Bushati, pritet të dalin nga greva e urisë dhe Taulant Balla, Arben Malaj dhe Ilir Beqja. Në Bruksel pritet të diskutohen çështjet e liberalizimit të vizave dhe reformave, ndërsa deputetët socialistë do përpiqen të sensibilizojnë BE për grevën e urisë dhe kauzën e opozitës për transparencën e zgjedhjeve të
28 qershorit.
Koha për “Ja vdekje ja liri”
Deputeti socialist Sajmir Tahiri i bëri apel qytetarëve të bashkohen në një kauzë të rëndësishme. "Qytetarë të Tiranës, qytetarë të gjithë Shqipërisë nuk jemi kaq. Nuk janë 20 kolegë, deputetë të Partisë Socialiste atje në grevë. Nuk janë 200 mijë protestues siç ishin dje ata që protestojnë, është shumica e shqiptarëve këtu sot në grevë, është shumica e shqiptarëve sot që proteston këtu bashkë me ne dhe duhet të jemi të gjithë bashkë këtu sot në shesh, njëlloj si janë të gjithë ata që protestojnë në mënyrë të heshtur. Ka ardhur koha si këta deputetët tanë këtu brenda, "Ja vdekje ja liri"!
Pasqyrimi i protestës nga mediat e huaja
Protesta e opozitës në Tiranë është pasqyruar nga mediat e huaja. Agjencitë e njohura të lajmeve shkruajnë për protestën dhe kërkesat e opozitës drejtuar Qeverisë. Disa nga agjencitë kanë theksuar se 20 deputetë dhe rreth 200 protestues kanë nisur një grevë urie për plotësimin e kërkesës për transparencën e zgjedhjeve të kaluara.
Agjencia "The Associated Press"
Dhjetëra mijëra njerëz mbuluan sheshin qendror të kryeqytetit, Tiranë, të premten duke u zotuar se do të qëndrojnë aty derisa Qeveria të lejojë numërimin e pjesshëm të votave që opozita i konsideron si zona ku është mashtruar.
BBC
Lideri Socialist, Edi Rama u bëri thirrje demonstruesve të tregonin "rezistencë paqësore" gjatë marshit të së premtes, i cili përfundoi jashtë ndërtesës kryesore të Qeverisë. Organizuesit thanë se ishin 200 mijë në shesh, edhe pse nuk ka asnjë shifër zyrtare. Kjo ishte protesta më e madhe në rrugë për rezultatin e zgjedhjeve deri tani. "Ky është momenti final", tha Gramoz Ruçi, një lider Socialist. Shqipëria po përballet me bllokime serioze politike, të cilat dëmtojnë shpresat e saj për të lëvizur drejt anëtarësimit në BE”.
Agjencia franceze "AFP"
Mijëra protestues të opozitës dhe mbështetës të Qeverisë u mblodhën të shtunën në Tiranë, ndërsa kriza politike po godet vendin që pas zgjedhjeve të kontestuara të qershorit. Rreth 200 njerëz, përfshirë 22 deputetë të Partisë Socialiste, kanë ngritur tenda në shesh dhe planifikojnë të qëndrojnë në grevë urie për kërkesën e rinumërimit të votave, sipas zëdhënëses së PS, Armela Imeraj. Organizuesit thanë se ishin 200,000 njerëz të mbledhur ndërsa policia tha se ishin 13,000. Në sheshin tjetër, mijëra mbështetës të Qeverisë janë mbledhur për të festuar, me pankarta "Festoni 1 Majin, Po Evropës".
Agjencia "B52"
Disa qindra makina dhe furgonë të policisë ishin të shpërndara në të gjithë bulevardin kryesor të Tiranës, duke mbajtur protestuesit dhe mbështetësit e Qeverisë në një distancë. Qeveria organizoi një koncert të shtunën për festimin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.
The Huffington Post
"A e sheh Berisha këtë? Ne jemi shumë. Ne vetëm duam rregulla loje të drejta në zgjedhje", tha Ilir Tiko, një nga protestuesit në sheshin e gjerë të Tiranës. Një tjetër demonstrues, Sanie Behari, tha se ajo ishte duke protestuar ndaj varfërisë.
The New York Times
Dhjetëra mijëra njerëz qëndruan në sheshin kryesor të Tiranës, të premten, duke u zotuar të qëndrojnë atje deri sa Qeveria të lejojë një rinumërim të pjesshëm të zgjedhjeve.
Agjencia "DPA"
Afërisht 200 ligjvënës opozitarë socialistë me mbështetësit e tyre nisën një grevë urie në Tiranë duke kërkuar nga Qeveria një rinumërim të pjesshëm të votave nga zgjedhjet e fundit ku dyshohet se ka pasur manipulime.
Agjencia kineze "Xinhua"
Edhe pse opozita i ka dhënë fund bojkotit në Kuvend,e cila zgjati më shumë se gjashtë muaj, ata janë ende duke kërkuar për një rinumërim të pjesshëm të votave. Partia Socialiste ka thënë se do të mbajë tubim në vazhdim e sipër në mënyrë që Qeveria të vendosë.
Agjencia "RFI"
Por socialistët, të cilët janë kthyer në Parlament në shkurt, ende nuk pranojnë të marrin pjesë në votim, pasi kërkojnë një kompromis për një hetim parlamentar për zgjedhjet e kaluara. "Opozita do të demonstrojë forcën e saj për opinionin publik, por edhe në Evropë", citohet një ish ministër financash socialist nga agjencia "RFI'.
'RAI news'
Një mori manifestuesish u mblodhën para selisë së Qeverisë. Qeveria e kryeministrit, Sali Berisha, i cili ka fituar zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, kontrollon 75 nga 140 vendet në Parlament, dhe e ka refuzuar si ilegale kërkesën e opozitës. Demokratët kanë organizuar edhe koncertin e 1 majit në mesditë, për të festuar edhe "suksesin e reformave" që i kanë dhënë Shqipërisë një pamje evropiane.
Agjencia 'Blitz'
Mijëra qytetarë (200,000 sipas organizuesve, disa mijëra sipas shumicës), i janë përgjigjur opozitës. "Ne jemi këtu për të hapur një faqe të re të betejës sonë që nuk do të ndalet deri sa ju të bëni transparencë mbi zgjedhjet", tha Rama. Ndërkohë, Qeveria e Berishës ka organizuar një koncert për 1 majin, disa qindra metra nga ku deputetët e opozitës kanë zgjedhur për të kryer grevën e urisë.