E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shiti ndeshjen ndaj e hoqa”



Leonard Karaj

Presidenti i Besës Nexhat Bizhdili ka shkarkuar dje trajnerin Shpëtim Duro pas barazimit 1-1 me Tiranën në Kavajë me arsyetimin se ka trukuar rezultatin e këtij takimi.
“E shkarkova trajnerin. Unë prisja fitoren në tribunë, ndërsa trajneri im bënte pazar poshtë në dhomat e zhveshjes me Tiranën. Ja kanë bërë edhe Monit (Edmond Hasanbelliut, presidentit të Teutës), këtë gjë kur Starova ishte trajner i durrsakëve dhe Duro i Partizanit sezonin e kaluar”, kjo ka qenë deklarata e parë e Xhat Bizhdilit pas vendimit për largimin e teknikut, dy javë para fundit të kampionatit dhe në prag të finales së Kupës së Shqipërisë. “Pas përfundimit të ndeshjes kam dyshuar se ekipi im nuk dha maksimumin dhe nuk luajti ndershëm. Edhe zëvëndësimet që trajneri bëri në pjesën e dytë më shtuan akoma dhe më shumë dyshimin që kisha se ekipi im nuk po kërkonte fitoren. Menjëherë mblodha lojtarët dhe i pyeta se përse zhvilluan një lojë të tillë dhe nuk fituam. Ata të gjithë njëzëri më pohuan se kishin marrë urdhër nga trajneri për t’i hapur portën Tiranës dhe për t’i dhënë asaj pikë. Dyshimet e mia u vërtetuan në këtë çast dhe më pas unë ndërmora atë veprim, duke e shkarkuar menjëherë nga detyra trajnerin”, ka pohuar Bizhdili.
Vlen të theksohet se gjatë këtij sezoni, Besa ka toleruar në disa takime radhazi, në fillimin e fazës së tretë, por asgjë nuk ka ndodhur në këtë skuadër dhe kjo me sa duket sepse këto tolerime kanë qenë të urdhëruar nga vetë presidenti. Duke vazhduar deklaratën e tij, Bizhdili konfirmon indirekt pikërisht këtë fakt duke pohuar se skuadrën e paguan ai dhe vendimet të mira apo jo të drejta janë ekskluzivitet vetëm i tij. “Këtu paguaj unë dhe të tilla gjëra nuk mund të bëhen pas shpinës time. Ndaj Tiranës prisja një fitore dhe ne i kishim të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë. Nuk mund ta toleroj një gjë të tillë nga askush në ekipin tim. Ky rast le të vlejë si një mësim për të gjithë se tek Besa jo çdokush mund të bëjë çfarë të dojë”, ka mbyllur deklaratën e tij Bizhdili.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Shpëtim Duros. Ai ka hedhur poshtë akuzat e presidentit Bizhdili duke pohuar se barazimi ishte rezultati që realisht prodhoi ajo ndeshje. "Këtu nuk ka asgjë të vërtetë, sepse s'ka shanse që unë të kem toleruar. Edhe nëse kjo mund të jetë bërë në heshtje gjatë pjesës së dytë mes futbollistëve të Besës dhe Tiranës, përsëri rezultati ishte në të mirën tonë. Unë di të them se kam deklaruar që një ditë para ndeshjes, që ndaj Tiranës na interesojnë dy rezultate: fitorja dhe barazimi. Pra, edhe me një barazim ne ishim të kënaqur, kështu që me këtë ndeshje e mbyllnim çështjen e kampionatit, duke blinduar vendin e dytë. Nuk kam unë aq forcë sa të imponoj ekipin dhe të toleroj në ndeshje. Njëshi është presidenti i klubit, pra ai i jep urdhrat dhe ne i zbatojmë. Dihet kush i ka toleruar ndeshjet e Besës dhe për më tepër që ne si ekip rrezikuam seriozisht vendin e dytë prej tyre. Por, duhet të thuhet një bravo të madhe për skuadrën, që pavarësisht interesave të klubit, arriti të rikuperonte pikët, duke qenë brenda objektivave në këtë fundsezoni", ka pohuar Duro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›