Policia: PS s’njoftoi, të ndalojë greva
Trazhgim Sokolaj
Drejtoria e Policisë së Tiranës i kërkoi dje Partisë Socialiste të marrë masa për zhbllokimin e qarkullimit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", i cili është zënë nga çadrat e ngritura për grevistët. Duke pohuar se policia nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak për këtë përshkallëzim të protestës, Drejtoria e Policisë së Tiranës, ka deklaruar dje se veprimet e ndërmarra nga Partia Socialiste po pengojnë qarkullimin e automjeteve. Pak orë pas deklaratës së policisë, kryetari i PS, Edi Rama, iu kundërpërgjigj kërkesës së policisë duke thënë se "çdo ndërhyrje me forcë, diktuar nga pushteti, do të ishte provokim i patolerueshëm". Duke komentuar kërkesën e policisë, Rama tha më tej se çdo ndërhyrje do të ishte një provokim i patolerueshëm dhe një nxitje e pajustifikueshme tensioni që duhet mirëadministruar në një kohë kur kërkohet vetëm reflektim i pushtetit. Rama në deklaratën e tij shprehu vendosmërinë për vazhdimin e betejës së nisur. "Në të gjitha njoftimet që Partia Socialiste ka dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, nuk është kërkuar mbështetje për këtë përshkallëzim të protestës, me qëllim që Policia të marrë masat e saj në zbatim të ligjit", thuhet në deklaratën e policisë së kryeqytetit. Kjo e fundit ka paralajmëruar duke thënë se, veprime të tilla që pengojnë qarkullimin e mjeteve të transportit përbëjnë veprën penale, "pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", të parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal të Shqipërisë sipas të cilit ky krim dënohet me gjobë deri në burgim me tri vjet heqje lirie. Në deklaratë thuhet se policia e kryeqytetit u kërkon organizatorëve të grevës që të marrin masa për zhbllokimin e bulevardit dhe lënien e lirë të mjeteve të transportit. Sipas drejtorisë së Tiranës, mbrëmjen e datës 30 prill, rreth orës 21:30, PS komunikoi hyrjen e deputetëve në grevë urie duke vendosur çadra në Bulevard dhe duke bllokuar tërësisht kalimin e automjeteve në këtë aks.
Letrat e Ramës për policinë
Kohëzgjatja e protestës së Partisë Socialiste në një ambient publik në Tiranë, duket se ka qenë një problem i vërtetë për policinë e kryeqytetit. Kjo e fundit bëri publike dje letërkëmbimin e zhvilluar me Partinë Socialiste lidhur me lejen për zhvillimin e protestës. Sipas policisë, në datën 8 prill 2010, Partia Socialiste dërgoi një shkresë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, me objekt "njoftim për miting" në datën 30 prill 2010, ora 13:00. Policia e Tiranës ka kthyer përgjigje të nesërmen, me shkresën dërguar kryetarit të PS-së së Tiranës Besnik Baraj, duke kërkuar plotësimin e kërkesës për leje, sipas ligjit "për tubimet". Më pas, Partia Socialiste ka dërguar në polici një njoftim të dytë në të cilin më datë 28 prill 2010, shprehej se itinerari i protestës që do të fillonte në ora 13:00, do të ishte nga sheshi "Skënderbej" me drejtim lëvizje në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" deri tek Kryeministria. Në këtë për-gjigje të PS, theksohet se protesta e nisur në ora 13:00 të 30 prillit do të vazhdojë deri në 1 maj 2010. Në të njëjtën ditë, policia e Tiranës me një kthim shkrese i kërkon përsëri Partisë Socialiste plotësimin e kërkesës për protestën, sipas ligjit për tubimet. Menjëherë Partia Socialiste është përgjigjur më 29 prill 2010, duke shtuar në kërkesën e saj se protesta do të fillonte në sheshin "Skënderbej" me itinerar lëvizje në bulevard deri tek Kryeministria, ndërsa kohëzgjatja e saj do të ishte nga data 30 prill 2010 deri në 30 maj 2010. Policia e Tiranës përsëri kërkon formulimin e kërkesës në përputhje me ligjin pasi nuk mund të japë leje një mujore ndërkohë që PS përgjigjet më 29 prill 2010 duke përsëritur me shkresën e radhës se protesta do të fillojë më 30 prill dhe do të zgjasë një muaj deri në 30 maj. Pas këtij letërkëmbimi mes Partisë Socialiste dhe Drejtorisë së Policisë, kjo e fundit, ka njoftuar subjektin politik se ka dhënë leje për zhvillimin e tubimit në datën 30 prill 2010 në orën 15:00. Në përgjigjen e saj të datës 29 prill 2010, policia tha se i ka kujtuar Partisë Socialiste se, për vazhdimin e tubimit është e nevojshme që të dërgojnë njoftim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, për çdo ditë tubimi, pasi sipas nenit 5 pika 2 gërma "c" të Ligjit "Për Tubimet", nuk parashikohen tubime që zgjasin më shumë se një ditë.
Incidentet
Policia e Tiranës tha dje se mbrëmjen e 30 prillit pas tubimit të organizuar nga Partia Socialiste, gjatë largimit nga Bulevardi, u shoqëruan 40 persona të cilët thyen disa reklama të vendosura në vende publike tek rruga e Elbasanit. "Pas tubimit, një grup prej 30-40 personash, kanë prishur rendin dhe qetësinë publike në Kryqëzimin e rrugës së "Elbasanit". Forcat e rendit bënë shoqërimin e 23 protestuesve në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë dhe pas hetimeve ata u lanë të lirë duke u paditur në prokurori për akuzat e "prishjes së rendit e qetësisë publike", dhe "shkatërrimit të pronës". Dje rreth orës 11:00, policia tha se ka pasur një incident mes protestuesve të PS dhe qytetarëve që shkonin në tubimin festiv tek sheshi "Nënë Tereza". "Dje rreth orës 11.00, një grup simpatizantësh që mbështesin grevën e urisë së deputeteve Socialistë, tentuan të bllokojnë në Bulevardin Bajram Curri, mbi Urën e Lanës dhe të konfrontohen me qytetarë të tjerë të cilët po shkonin në aktivitetin tjetër që po zhvillohej në Sheshin "Nënë Tereza". Me ndërhyrjen e forcave të policisë, situata u normalizua pa incidente të rënda. Policia tha se nuk ka pasur incident me minatorët dje në protestën e tyre ndërsa pranoi se protestat janë filmuar dhe se kjo është bërë mbi bazën e ligjit "për tubimet".
Një minatore provokon forcat e policisë
Me pankarta në duar protestës së opozitës i është bashkuar dhe sindikata e minatorëve, të cilët mbanin në duar pankarta kundër Qeverisë, dhe situatës ekonomike. Në mes tyre, një grua rreth të 50-ve, ishte në krye të grupit protestues dhe në krah të kreut të sindikatës, Fiqiri Xibri. Forcat e policisë ndaluan përpara parkut "Rinia" minatorët për disa minuta, ndërsa gruaja, u kërkonte vazhdimisht forcave të policisë të largohen dhe të mos i pengojnë ata në këtë protestë. Në mënyrë të çuditshme ajo tentoi disa herë t'u hiqte kapelet e uniformës policëve nga koka duke i sharë dhe ofenduar. Ky veprim u zhvillua në mënyrë të përsëritur për disa metra rrugëtim të protestuesve minatorë. Pasi i ka hedhur për tokë kapelen e shërbimit njërit prej policëve që shoqëronte protestuesit, ajo është marrë nga efektivat blu dhe është larguar nga vendi i protestës. Protestuesit e mbledhur mbi urën e Lanës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" kanë shprehur tensionim pasi kanë kujtuar se grupi i minatorëve ishin anëtarë dhe simpatizantë të PD që shkonin për në sheshin "Nënë Tereza" për të marrë pjesë në koncert. Madje ata kanë hedhur dhe objekte të forta, ndërsa një prej minatorëve ka marrë plagë të lehta në kokë. Minatorët më pas janë drejtuar për nga çadra e grevës ku kanë shprehur mbështetjen e tyre për grevistët e urisë.
Nuk lejohet kalimi në bulevard i njerëzve me simbole të PD
Para koncertit festiv të PD në sheshin "Nënë Tereza", nuk kanë munguar incidentet në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përpara "Kullave binjake". Një kordon militantësh, kryesisht të ardhur nga Shkodra, nuk kanë lejuar që mbështetës të PD që kalonin me simbolet blu të përshkonin atë pjesë të bulevardit për të shkuar në koncert. Madje ata i janë vërsulur disa vajzave dhe të moshuarve për t'u hequr atyre flamurin blu që kishin hedhur mbi krahë. Kjo ka krijuar tension dhe ka qenë ndërhyrja e personave më të qetë dhe të përmbajtur që kanë shmangur përplasjet fizike. Një burrë i cili shoqërohej me dy vajzat e tij është irrituar kur një grua e moshuar i është vërsulur vajzës së tij duke i hequr flamurin e BE-së që mbante në krahë. Për paksa gjakrat nuk janë ndezur, pasi kalimtari me të bijat është shtangur nga sulmi që i është bërë ndërsa militantët e PS e kanë konsideruar këtë veprim si provokim.