E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti shqiptar dhe qytetari i logjikshëm

Grid Rroji

Në shkrimin e kaluar u ndala te roli që luan sistemi politik në mbarëvajtjen e shoqërisë sipas qasjes së zgjedhjes racionale. Në vijim, do të përqendrohem te roli që luan shteti dhe strukturat e tij në raport me pritshmërinë që ka qytetari i logjikshëm. Roli i shtetit ka rëndësi ...jo vetëm në rrafshin teorik, por në gjykimin tim përbën thelbin e diskutimit mbi qasjen afatgjatë të politikës në Shqipëri.
Tranzicioni i la si trashëgimi Shqipërisë një shtet të dobët, i cili nuk e kishte monopolin e forcës legjitime brenda territorit të vetë. Thënë ndryshe, shteti shqiptar në periudhën post-komuniste kishte vështirësi në kontrollin e territorit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. Siç janë shprehur shumë studiues, revolucioni neo-komunist i 97'-ës evidentoi qartazi se shteti shqiptar nuk i kishte atributet e nevojshme për t'i rezistuar dhunës së disa grupeve kryengritëse.
Në vitet e mëvonshme, sidomos në periudhën 2005-2009, shteti shqiptar pati një ripërtëritje të pjesshme, duke i tejkaluar në dukje problemet ekzistenciale të 97'ës. Reformat strukturore, gjatë qeverisjes 2005-09 u përqendruan te reformat rregullatore, te përafrimi i kuadrit ligjor me NATO-n dhe BE-në , si dhe riorganizimin e strukturave të ruajtjes së rendit në vend. Megjithatë, këto reforma nuk kanë arritur të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore perceptimin e qytetarëve mbi shtetin, por akoma edhe më të rëndësishëm, perceptimin e funksionarëve për mënyrat se si duhet të veprojë shteti. Ende shumë funksionarë lokalë dhe qendrorë e konceptojnë shtetin si zonën e tyre të influencës për të "kryer punët e veta", e jo si shërbim publik. Shembulli më i qartë i kësaj është fakti që reformat burokratike vijnë vetëm në përgjigje të kërkesave e standardeve, të imponuar tashmë nga detyrimet integruese të Shqipërisë, e jo si nevojë e brendshme e konsolidimit strukturor të shtetit. Pra, forcimi relativ i shtetit nuk i detyrohet konsolidimit të strukturave të brendshme të tij, por më tepër pasqyron konjuktura e vullnete politike të momentit, që kanë tendencën të jenë të paqëndrueshme.
Sipas disa vëzhguesve shqiptarë e të huaj kjo dobësi organike ka krijuar te qytetarët e logjikshëm perceptimin se shteti është më shumë një instrument në favor të pushtetarëve, sesa një organizëm garantues i ligjshmërisë. Ky perceptim popullor rrjedhimisht ka shkaktuar mungesë të gjerë besimi tek institucionet dhe humbjen e pjesshme të legjitimitetit të shtetit. Humbja e besimit të qytetarëve krijon për pasojë një vorbull vetushqyese, e cila e vështirëson jo pak rimëkëmbjen e shtetit si organizëm funksionues.
Përgjegjësia për dobësinë relative të shtetit shqiptar bie vetiu mbi të gjitha qeverisjet e tranzicionit, por siç e theksova më sipër, disa ndikuan më tepër në krijimin e kësaj gjendjeje dobësie. Revolucioni neo-komunist i 97'-tës dhe ligjërimi i kleptokracisë ishin karakteristika të dallueshme të qeverisjes së majtë, të cilat rrënuan funksionueshmërinë e shtetit. Nga ana tjetër, e djathta nuk i shpëton dot përgjegjësisë për moszbatimin e një reforme të qenësishme të pronës, pa të cilën është e vështirë të ketë kushte për stabilitet afatgjatë ekonomik dhe politik. Po ashtu, pavarësisht përpjekjeve për të deklaruar se çdo gjë ecën normalisht, qeveria sot për sot e ka të vështirë ta bëjë të besueshëm argumentin se papërgjegjshmëria e bojkotit të Ramës nuk ka ndikuar në efektivitetin e qeverisjes. Nuk është e palogjikshme të hamendësosh se në klimën e tanishme politike preokupimi kryesor për shumicën është vazhdimësia e pushtetit për të përfunduar mandatin, sesa mirëqeverisja e vendit. Kjo shpjegon edhe faktin që megjithëse e ka dënuar bojkotin që në fillim si mjet i papërshtatshëm në sisteme demokratike të konsoliduara, faktori ndërkombëtar dënon gjithashtu situatën e bllokuar politike në vend.
Po cili lloj shteti i shërben qytetarit të logjikshëm për të maksimalizuar mirëqenien e vet?
Zgjidhja më e mirë e mundshme për qytetarin racional shqiptar do të ishte padyshim një shtet relativisht efektiv, i aftë të sigurojë ruajtjen e rendit, por edhe të transformohet nga një mjet përfitimi në duart e pushtetarëve dhe funksionarëve politikë të administratës, në një institucion që ka si qëllim parësor garantimin e shërbimeve për qytetarin. Kësisoj, një shtet i konsoliduar do të garantonte vazhdimësinë e strukturave të veta pavarësisht luhatjeve politike, si dhe do t'i përgjigjej kërkesave të qytetarëve për prodhimin e të mirave publike. Për rrjedhojë, shteti i organizuar, efektivisht do të sillej si ortak i barabartë me miqtë dhe aleatët e huaj, por dhe do të përbënte garanci për mbijetesën e konsolidimit të shtetit, çka është në interesin e përbashkët të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Por, zgjidhja e këtij problemi është shumë më e koklavitur, sesa zbatimi me sukses i reformave të veçanta. Ndonëse të domosdoshme, reformat e veçanta mbeten pika uji në oqean dhe nuk sigurojnë vetvetiu ndërrimin e konceptit politik mbi shtetin. Me fjalë të tjera, për të konsoliduar shtetin nuk mjafton të ndryshojnë praktikat burokratike, por duhet të instalohet një mendësi që shteti është i të gjithëve.
Shembulli aktual që e ilustron këtë është çështja e bojkotit të opozitës. Nga njëra anë, pakica socialiste fyen inteligjencën e qytetarëve racionalë, duke pretenduar se po kërkon transparencën e zgjedhjeve e jo pushtetin. Të gjithëve na kujtohen të njëjtët funksionarë socialistë, që sot kërkojnë me zë të lartë transparencën, të cilët nuk kishin asnjë vështirësi të përdornin e justifikonin pushtetin ilegjitim, të marrë me anë të dhunës zgjedhore gjatë qeverisje së tyre. Nga ana tjetër, shumica me qëndrimin e saj brenda ligjshmërisë në fuqi mbron "de jure" funksionimin e institucioneve. Por, faktori ndërkombëtar e ka shprehur qartë se zgjidhja e vetme e pranueshme përfshin edhe transparencën zgjedhore. Prandaj shumica është e detyruar të bëjë kompromis me pakicën, sado i papërgjegjshëm apo i pasinqertë qoftë motivi i bojkotit. Ngjan sikur duke zgjatur periudhën e përplasjes, me mitingje të organizuara nga strukturat partiake, të dyja palët po pozicionohen për të përfituar kushte sa më të mira nga marrëveshja e detyruar, duke e dëmtuar "de facto" interesin e qytetarëve.
Për rrjedhojë, konsolidimi i shtetit nuk varet vetëm nga manovrat politike, sado të sofistikuara qofshin ato. Konsolidimi i strukturave shtetërore kërkon vetëdije politike, përtej përfitimeve të momentit dhe duhet të përbëjë prioritetin kryesor të të gjithë aktorëve politikë në sistem. Kjo, jo për arsye altruiste në favor të ndonjë bashkësie abstrakte, por sepse strukturat e konsoliduara rritin aftësinë e shtetit për të mbijetuar, duke iu përgjigjur kësisoj më mirë kërkesave të secilit qytetar racional. Me pak fjalë, konsolidimi i shtetit kërkon që të gjitha palët politike të shohin përtej interesit politik afatshkurtër.
Si përfundim, qytetari i logjikshëm shqiptar kërkon që shteti të jetë i aftë të mbijetojë e t'i sigurojë qytetarit një mjedis të lirë e të sigurtë, ku ai të kryejë aktivitetin e tij ekonomik dhe politik. Dobësia relative e shtetit shqiptar, në gjendjen e tanishme, është pengesë themelore për zhvillimin e vendit. Qytetarit racional shqiptar i intereson që shteti të konsolidohet, pavarësisht interesave politike të palëve. E kjo nuk mund të ndodhë nëse preokupimi i tyre i vetëm është mbijetesa politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›