E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga 1 Prilli tek 1 Maji

Edmond Tupja

Duke kaluar nëpër mendje historikun e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës, që, në Tiranën e Shqipërisë komuniste, festohej me një madhështi sa vinte e më të shtirë, por deri diku edhe mjerane, edhe qesharake, sesi m'u kujtua se pjesëmarrja në të ishte e detyruar dhe kërkonte që njerëzit të ishin të pranishëm në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" disa orë para se të fillonte parakalimi para tribunës ku zinin vend si kukulla të stisura krerët e Partisë-shtet. Për mua, tek i rikujtoj sot skenat pompoze që përcillte nga ky parakalim Radiotelevizioni Shqiptar, më përforcohet bindja se kjo festë solidarësie me "proletariatin ndërkombëtar", e cila, në fakt, ishte vetëm një shpalosje e "sukseseve të socializmit fitimtar në Shqipërinë e pamposhtur përballë rrethimit të gjithanshëm imperialisto-revizionist" dhe aspak një ditë protestash sindikaliste, prejardhjen e vërtetë duhej ta kishte tek 1 Prilli... Po, tek 1 Prilli, dita ndërkombëtare e gënjeshtrave dhe e gënjeshtarëve: "Gënjeshtarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!" do të kishte qenë parulla, motoja, slogani apo deviza më e saktë për të karakterizuar hipokrizinë e regjimeve komuniste që nga Bashkimi i atëhershëm Sovjetik deri te Koreja e Veriut duke kaluar, sigurisht, nëpër Shqipërinë e Enver Hoxhës. Por ja që, edhe pas rënies së diktaturës komuniste tek ne, rezulton se njeriu, pavarësisht regjimit nën të cilin jeton, paska nevojë për gënjeshtra, për iluzione, me një fjalë, siç thotë populli, për t'u ngopur me lugë të zbrazët. Natyrisht, nën regjimin hoxhist, shqiptarët këtë ngopje me lugë të zbrazët e festonin jo më 1 Prill (që nuk ishte aspak festë zyrtare), por pikërisht një muaj më vonë, më 1 Maj, duke u solidarizuar me proletarët në mbarë botën kapitalisto-revizioniste, të cilët, ndryshe nga ata, deri diku ngopeshin me lugë gjysmë të zbrazët, d.m.th. gjysmë plot, pra, më mirë se në Shqipërinë socialiste...
Po sot, gati njëzet vjet pas shembjes së komunizmit, si paraqitet marrëdhënia e 1 Prillit me 1 Majin tek ne, në Shqipërinë demokratike? Sigurisht, u deshën disa vite që shqiptarët ta kuptonin se 1 Maji nuk ishte festë, por ditë lufte për kushte më të mira jetese, për punë, siguri, qetësi e dinjitet shoqëror, ndonëse ka disa prej tyre, nostalgjikë ose jo të regjimit komunist, që, edhe sot, shkojnë ta festojnë 1 Majin lokaleve. Gjithsesi, diçka ka ndryshuar dhe ato sindikata që kemi, ashtu siç i kemi, organizojnë disa protestash gjysmë të ndrojtura, pjesëmarrësit në të cilat, në mbyllje të aktivitetit sindikalist, përfundojnë, edhe ata, me njëfarë ndjenje lehtësimi e faji njëkohësisht, në ndonjë lokal, bar, kafe apo restorant qoftë ai. Këtë vit, një farë risie duket në horizont: 30 prilli, vigjilja e 1 Majit, qe dita e opozitës shqiptare, kurse vetë 1 Maji u shfaq si dita e pozitës: ndryshimi midis këtyre dy datave është fare i vogël, gati i parëndësishëm në pamje të parë: 30 Prilli është paksa më pranë 1 Prillit, sesa 1 Maji. Sidoqoftë, jam shumë kureshtar të mësoj përse asnjëherë, as njëra dhe as tjetra palë nuk organizojnë tubime, manifestime, protesta më 1 Prill; përse asnjëherë zgjedhjet parlamentare e vendore nuk zhvillohen më 1 Prill; përse asnjëherë asnjë ngjarje e rëndësishme politike nuk ndodh më 1 Prill, çka më duket çuditërisht paradoksale! Përse kështu? Sepse, i nderuar lexues i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, midis politikës dhe premtimeve të pambajtura nga politikanët me të ardhur në pushtet, ekziston një lidhje e fortë, të cilën, më se dy shekuj përpara, e ka përmbledhur me një frazë filozofi dhe enciklopedisti frëng d'Alembert, kur thoshte se "Politika është arti i të mashtruarit të njerëzve". Prandaj, do t'i sugjeroja me shumë modesti Kuvendit tonë të nderuar që Ditën, e pafestuar, Ndërkombëtare të Gënjeshtrave e të Gënjeshtarëve, ta caktonte si ditë feste kombëtare dhe, madje, si ditë pushimi absolut për gjithë shqiptarët që vazhdojnë të ngopen mrekullisht me lugë gati të zbrazët, por sidomos, kryesisht e veçanërisht për ata shqiptarë që gënjeshtrën e kanë profesion prej vitesh dhe që, edhe ditën e vdekjes së tyre, do të dinë ta vënë detyrimisht e paturpësisht të vërtetën më të hidhur në shërbim të gënjeshtrës më të ëmbël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›