E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etapat që do të afrojnë vendet e rajonit me BE-në

07/04/2009  Ministri i Jashtëm italian paraqet planin 8-pikësh për Ballkanin

Plani prek drejtpërdrejt vendin tonë dhe ambicien për integrim

Italia kërkon me ngulm vazhdimin dhe konkretizimin e procesit të integrimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian. Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Franko Fratini ka paraqitur në samitin BE-SHBA, zhvilluar ditën e djeshme në Pragë, një plan prej tetë pikash, i cili ka për qëllim përshpejtimin e integrimit të euroatlantik të këtyre vendeve, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Plani, i cili u është prezantuar kolegëve europianë dhe amerikanë, synon të kapërcejë “procedimin e ngadaltë të procesit”. Kësisoj, kërkohet që integrimit të vendeve të Ballkanit t’i jepet një shtysë e vërtetë. Në këtë plan përfshihet heqja e vizave për qytetarët e shteteve të Ballkanit, thënë ndryshme zbatimi i procesit të liberalizimit të vizave, që duhet të hyjë në fuqi shumë shpejt. Së dyti, brenda muajit maj të këtij viti Komisioni Europian të nisë raportin teknik mbi kërkesën e integrimit në BE të Malit të Zi. Pika e katërt e këtij plani ka të bëjë me Bosnjë-Hercegovinën. Fatini ka kërkuar që të fuqizohet roli i BE-së në këtë vend. Pika e pestë lidhet me zhbllokimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Serbinë brenda muajit maj, por duke i kërkuar edhe Beogradit bashkëpunim të plotë me Gjykatën e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi. Në pikën e gjashtë kërkohet “një iniciativë e fortë diplomatike” mbi zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë. Pika e shtatë e planit të kryediplomatit italian lidhet me çështjen e Kosovës, për të cilën Fratini kërkon që askush të mos tërhiqet në mënyrë unilaterale nga impenjimet e marra. Në pikën e fundit të planit të paraqitur nga ministri i Jashtëm italian Franko Fratini kërkohet një samit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit në nivel kryetar shtetesh dhe qeverish brenda mesit të vitit 2010. Ky samit të mbahet me rastin e përvjetorit të dhjetë të procesit që nisi integrimin. Në këtë samit ftohen të marrin pjesë edhe SHBA-të. Ministri Fratini ka thënë se plani ka gjetur mbështetjen e plotë dhe se është një plan që do të bëjë të mundur integrimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit.

Franko Fratini

Plani prej tetë pikash i prezantuar nga kreu i diplomacisë së Republikës së Italisë parashikon afate precize për etapa të ndryshme. Ministri Fratini ka nënvizuar se ambicia e vendit të tij është që plani të shndërrohet në një linjë të Bashkimit Europian, me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt, nuk është e rastësishme që propozimi është bërë publik gjatë një takimi me sekretaren amerikane të Shtetit Hilari Klinton. Mësohet se kryediplomati italian ka thënë se propozimi i tij lidhur me heqjen e vizave me vendet e Ballkanit gjeti mbështetje të plotë. “Ne propozuam që kjo të realizohet sa më shpejt”, - ka thënë ministri italian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›