E Hënë, 2 Nëntor 2026

Merr flakë vila e aktorit Fatos Sela

31/05/2005  TIRANË- Vila 3-katëshe e aktorit të njohur shqiptar, Fatos Sela, është përfshirë nga flakët mëngjesin e djeshëm. Si pasojë e një shkëndije elektrike, e shkaktuar nga televizori, janë djegur disa nga orenditë e shtëpisë, ndërsa mësohet se fatmirësisht nuk ka pasur dëme të tjera. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09.30 të ditës së djeshme, në rrugën "Qemal Vatha", pranë rrugës "Bardhyl". Ndërkaq, zjarrfikëset kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe brenda një kohe të shkurtër bënë të mundur shuarjen e zjarrit. Burimet policore thanë se ndërhyrja e menjëhershme e forcave të zjarrfikëseve mundësoi shuarjen e flakëve të zjarrit. Sipas të njëjtave burime të policisë, shkaku i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike e shkaktuar nga televizori. Policia tha se një nga djemtë e vegjël të shtëpisë e kishte harruar atë ndezur gjatë gjithë natës dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm u shkaktua një shkarkesë elektrike. Në Tiranë, muajt e fundit janë shkaktuar me dhjetëra zjarre, shkaqet e të cilave përgjithësisht kanë qenë shkarkesat elektrike. Në "Shkollën Teknonogjike" u dogj shtëpia e një shtetasi, muaj më parë, ndërsa në Laprakë mori flakë një magazinë sixhadesh. Magazina e një shtetasi italian në Babrru u dogj pjesërisht, ndërsa dy javë më parë, pranë Poligrafikut mori flakë një tjetër magazinë. Deri më tani, nga të gjitha ekspertizat që janë bërë në vendngjarje, ka rezultuar se rrethanat në të cilat janë shkaktuar zjarret, përgjithësisht kanë qenë shkëndijat elektrike, ndonëse në djegien e disa magazinave është dyshuar edhe për zjarr të qëllimshëm për konkurrencë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›