E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nobelat që flasin shqip këtë verë

Botuesja Flutura Açka rrëfen mbi përkthimet më të reja të nobelistëve dhe botimet e tyre në shqip

Petrika GROSI
Shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka tregon për gazetën “Albania” mbi botimet më të reja të “Scanderbeg” dhe suprizat që ajo servir në vitrinën e librit shqiptar për këtë sezon veror. Për të gjithë ata që nuk e njohin ende, Açka cilësohet ndër të tjera edhe si botuese e “nobelistëve në letërsi”. Mjaft të përmendim këtu disa emra që nuk kanë nevojë për koment si Orhan Pamuk, Doris Lessing, Cortzee, apo Jelinek...

Diçka mbi botimet tuaja më të fundit?
Jam në proces të ribotimit të një pjese të nobelistëve; ribotoj së shpejti dy romane të J. M. Coetzee: “Askundi” dhe “Turpi”, si dhe përgjatë muajit qershor veprën “Jeta dhe koha e Michael K”.
Veç këtyre, do të vazhdojmë me botimin e romanit të radhës të Orhan Pamuk “Jeta e re” dhe romanin “Të përjashtuarit” të Elfride Jelinek. Kjo përsa u takon në përgjithësi nobelistëve.

Pse, çfarë tjetër do të botoni përveç këtyre nobelistëve?
Do të vazhdoj me veprat e autorëve të famshëm francezë; Michel Houellebecq me romanin “Ishulli i mundshëm”. Një ngjarje për vitrinën e librit do të jetë romani “Inati” i Philip Ros, i cili është ende në proces shtypi.

Meqënëse po flasim për botime dhe autorët e huaj që vijnë në shqip; si mendoni, sa i rëndësishëm është përkthimi i mirë për një vepër, pasi shpesh ndeshemi me libra, ku autorë të njohur ndodh që në shqip të tjetërsohen dhe këtë e kupton vetëm kur i lexon në gjuhë të huaj ose në origjinal...
Çështja e përkthimit është shumë delikate. Gjykimi i përkthimit varet në raport me origjinalin. Nëse do të flas për veprat e mia, nuk e mohoj se kam pasur vështirësi në fillimet e mia. Edhe kam riskuar pasi kam punuar me përkthyes të rinj dhe ka pasur raste kur jam ndëshkuar nga përkthimi i dobët. Megjithatë, tashmë e kam fituar një përvojë të mirë. Përkthyesi ka një vepër të parë që i jep një farë mosbesimi por gjithëkush e ka njëherë të parë dhe kur përkthyesi e kalon mirë sprovën me lexuesin atëherë puna e tij duhet të vazhdojë.

Sidomos, shkarje të mëdha nga origjinali hasen kur veprat nuk përkthehen nga gjuha e parë e shkrimarit, apo jo?
Ndonëse gjithmonë mundohem t’i botoj veprat nga origjinali ka raste kur jam e detyruar t’i përkthej nga anglishtja siç ndodhi me shkrimtarin japonez Haruki Murakami. Po kështu edhe autorin izraelit Amos Oz, e kam shumë të vështirë që ta përkthej nga hebraishtja. Gjithsesi, kur kemi raste të tilla veprat kalojnë nën presionin e një redaktimi të rreptë.

Po ju vetë, a jeni në proces krijimi këto kohë?
Po punoj në prozë. Mendoja se në qershor do ta botoja romanin por e kam shtyrë për shkak të redaktimeve të fundit. Autori asnjëherë nuk ja gjen fundin veprës por besoj se në vjeshtë libri do të jetë gati me titullin provizor “Kuja”.

Cili nga librat e rinj mendoni se do të bëjë më shumë bujë?
“Inati” i PH.R. siç ju thashë dhe më parë, si dhe një nga veprat më madhore të Haruki Murakamit, të cilën nëse e nis ta lexosh, zor se shkëputesh dot.

Nga statistikat tuaja, sa ndikohet lexuesi nga autorët që kanë fituar çmime ose jo?
Lexuesi i huaj nuk mashtrohet lehtë nëse nuk je autor me vlera, pra, fama mund të zgjasë e shumta dy-tre muaj. Por, ka një garanci, ose duket sikur të jep një farë garancie për nivelin, libri i një autori që ka fituar çmime. Megjithatë, mund t’ju them se është një vepër monumentale e një autori shumë të rëndësishëm të Europës në ditët e sotme, i cili nuk ka marrë asnjë çmim, por që për pesë vjet me radhë mban çmimin e lexuesit duke kryesuar toplistën e shitjeve. E kam fjalën për autorin Pascal Mercier dhe romanin “Tren nate për Lisbonë”, vepër për të cilën jam e lumtur që më në fund do ta botoj në shqip.

A është sfidë të botosh nobelistët, duke pasur parasysh letërsinë klasike e cila jepet edhe nëpër shkolla dhe është më e njohur për lexuesit e rinj?
Në fakt nuk është sfidë të botosh nobelistët, por atëherë kur kërkon që të botosh letërsi të mirë dhe autorë bashkëkohorë, të cilët në përgjithësi janë të vështirë për t’u imponuar te lexuesi. Pra, sfida e vërtetë është kur kërkon t’i imponosh publikut shije të reja dhe kualitative.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›