Etika e estetikës
A mund të krahasohet “sistemi” i artit me “sistemin” e financës që u zgërlaq e u katandis more ku je? Veprat (e diskutueshme) të artit bashkëkohor, a ngjajnë si dy pika ujë me prodhimet “helmuese” të financës, “derivatëve” famëkeq? Po operatorët e botës së artit, a janë të një race me “kriminelët me dopiopet” të financës, krijues matrapazë prodhimesh “artificialë”? Gazeta italiane “Il giornale dell’arte” ngre dilemat e vlerës estetike të artit në krizën globale, duke ngritur pyetjen radikale mbi besimin tek “ekspertët” e saj, ose në shqip “mashtruesit”
A mund të krahasohet “sistemi” i artit me “sistemin” e financës që u zgërlaq e u katandis more ku je? Veprat (e diskutueshme) të artit bashkëkohor, a ngjajnë si dy pika ujë me prodhimet “helmuese” të financës, “derivatëve” famëkeq?
Po operatorët e botës së artit, a janë të një race me “kriminelët me dopiopet” të financës, krijues matrapazë prodhimesh “artificialë”?
Bie menjëherë sy se - lënë mënjanë ngjashmëritë morfologjike - edhe metoda e argumentet e praktikuara prej këtyre për të shitur mallrat e tyre pa vlerë, duken jo pak të ngjashme me ato që janë në përdorim në tregun e artit. Ndërkohë që bota përballet me krizën më të keqe që mbahet mend ndonjëherë, çdo njeri do të donte të dinte se cilat do të jenë pasojat negative jo vetëm mbi pronën e tij, por edhe mbi burimet e të ardhurave më konvencionale dhe më të besueshme, e në veçanti mbi të ashtuquajturën ekonomi reale, d.m.th., mbi aktivitetet prodhuese të të mirave reale. Njerëzit e artit pyesin veten: sa dhe kur cunami financiar do të shkatërrojë edhe ishullin e tyre të lumtur, mikrobotën e tyre të quajtur nga shumë pikëpamje vendi utopik i bollëkut, i cili çuditërisht, për boshllëkun dhe kotësinë, të kujton atë idiotësi absolute që është “Ishulli i të famshmëve” (reality show “Isola dei famosi”). Për të kuptuar, duhet filluar prej domethënies së dukurisë. Shpjegimi më i thjeshtëzuar e katastrofës është si pason: janë shpenzuar shifra kolosale për të blerë “prodhime” të sajuara, të paqena dhe pa vlerë nga persona të shtyrë për ta bërë këtë prej shpresës dhe premtimit që vlera e tyre do të shtohej.
Fuçia e barutit shpërtheu, sepse pjesa më e madhe e parasë së shpenzuar kësisoj ishte marrë borxh. Befas, borxhdhënës dhe borxhmarrës u gjendën pa kurrgjë në xhep. Ai që ka blerë vepra arti në këto vite, si do t’i vejë halli tani? Me një fjalë veprat e artit, ndryshe nga prodhimet financiare që janë thjesht copa letre, e kanë pra një vlerë? Ato të paktën e kanë një qenësi të tyren: janë përbërë prej kanavacës, telajos dhe përbërësve të ndryshëm. Janë fabrikuar (si ta thuash?) për kënaqësi. Në dukje janë pëlqyer. A do të pëlqehen akoma? Në këtë verifikim (shqetësues) të ngjashmërive në përpjekje për të përftuar një parashikim të arsyeshëm për të ardhmen e afërt, një mungesë dhe një ngjashmëri spikatin dukshëm mbi të tjerat:
Mungesa e madhe është kompetenca: e operatorëve, e blerësve dhe së fundi e kontrolluesve. Nëse këto tre kategori do të ishin kompetente, hataja do të ishte shmangur. “Mashtrimi” i madh do të ishte shmangur sepse do të ishte demaskuar menjëherë. Ekziston në fushë të artit kjo kompetencë? Le ta themi hapur: blerësit (dhe shitësit e pasajuar të orës së fundit) e kanë këtë kulturë të nevojshme? Apo është ndjekur moda, fjala gojë mbas goje, fama me të dëgjuar? “Vlera” jerm dhe dehëse e markës “firmato” dhe asgjë tjetër? A ka verifikuar njeri?
Ngjashmëria është se përcaktues i zakonshëm i gjithçkaje është besimi. Besimi në këshillën e “ekspertëve”, në vlerësimin e tyre, në pagabueshmërinë e vlerësimit, në qëndrueshmërinë e pashembëshme të bankave, në seriozitetin e bankierëve, në parashikimet e padyshimta të ekonomistëve të njohur.
Pyetja pra është: a mund të besojmë tek operatorët dhe “ekspertët” e artit? Dy elementë duhet të interesojnë blerësin e matur të veprave të artit që harxhon shifra të fryra: siguria e vlerës “artistike” dhe besueshmëria e vlerës koleksioniste (stima e vlerësimit të tregut). Fakti është që, saktë si në finance, të dyja vlerësimet prejardhen nga të njëjtët operatorë. Kush shet kontrollon ekspertin që “kontrollon” (vërtet?) kush shet dhe këshillon kush blen.
Ja përse, në fushë të financës, thuhet se jetojmë një krizë “etike”. Por në fushë të artit është “estetika” në lojë. Është e konceptueshme një etikë e estetikës? Etika. Dikur e quanin ndershmëri. Ndershmëria mund të gabojë. Por nuk mashtron.